'Valës' i faturohet borxhi 24-milionësh i Arbitrazhit!

Ekonomia May 04, 2018 - 07:56
Lexo detajet

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Valdrin Lluka ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se në shumën prej 60 milionë eurove borxhe të Telekomit të Kosovës (TK) janë edhe 24 milionë euro, të cilat në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Telekomi i Kosovës detyrohet t’ia paguajë operatorit virtual “Z-Mobile”, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kompanisë publike Telekomit të Kosovës do t’i faturohet edhe borxhi prej 24 milionë eurove, i cili në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit e detyron Telekomin e Kosovës t’ia paguajë operatorit virtual “Z-Mobile”.

Këtë shumë të konsiderueshme të mjeteve kompania publike do të detyrohet t’ia shlyejë kompanisë private, ndonëse kohë më parë ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ishte deklaruar publikisht se pronari i kompanisë “Z-Mobile”, Blerim Devolli, kishte hequr dorë nga kjo shumë e mjeteve vetëm e vetëm për të mos e sjellë në gjendje të rëndë Telekomin e Kosovës, shkruan më tutje "Zëri". 

LEXO EDHE: Së shpejti raportohet për Asociacionin në Bruksel

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Valdrin Lluka ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se në shumën prej 60 milionë eurosh të Telekomit të Kosovës janë edhe 24 milionë euro të Arbitrazhit.

“Në borxhin 60-milionësh të Telekomit është përfshirë edhe vendimi i Arbitrazhit prej 24 milionë eurosh. Po ashtu është përfshirë edhe një shumë prej 15 milionë eurosh, që thuhet të jetë dividend për Qeverinë. Duhet të rishikohet ky vendim se nuk është se ka pasur zotime për tre dividendë në vlerë prej 15 milionë eurosh”, ka deklaruar për “Zërin” ministri Lluka.

Muaj më parë “Zëri” kishte raportuar se ndërmarrja është në prag të falimentimit pikërisht për shkak të këtyre borxheve.

Por, në Telekomin e Kosovës prej borxhit 60 milionë eurosh thonë se janë në gjendje t’i paguajnë vetëm 18 milionë euro. Anëtarët e Bordit të kësaj ndërmarrjeje javë më parë kërkuan ndihmë nga Qeveria për mbulimin e borxheve.

“Telekomi aktualisht gjendet në një gjendje të thellë financiare. Borxhet e njohura të kompanisë janë mbi 60 milionë euro. Prej tyre 11 milionë euro janë vetëm borxhe të furnitorëve të rregullt, përderisa humbja për tre muajt e parë është mbi 4 milionë euro. Të hyrat vazhdojnë të bien, ndërsa shpenzimet vazhdojnë të rriten”, ishte shprehur para kabinetit qeveritar kryesuesja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri Berisha.

Berisha kishte paralajmëruar Qeverinë se në rast mosndërhyrjeje rasti optimal është që Telekomi të operojë edhe për 12 muaj, ndërsa më pas të kalojë në duart e borxhlinjve.

Prokuroria, në përfundim të hetimeve

Por, keqpërdorimeve në Telekomin e Kosovës duket se u ka ardhur fundi. Prokurori i Prokurorisë Speciale në Kosovë, Abdurrahim Islami, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se janë në pritje të përfundimit të hetimeve për keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës, ku është përfshirë edhe kryeshefi aktual Agron Mustafa.

Islami ka deklaruar se po mundohen që të përfundojnë sa më shpejt hetimet, por sipas tij ecuria e tyre nuk po ecën si po planifikohet.

“Presim që të përfundojnë hetimet dhe të ngrihet aktakuza. Por, janë edhe disa ekspertiza që ne i kemi bërë dhe disa mendime të tjera që duhet të marrim. Kjo është çështje e hetimeve. Hetimet edhe mund të zgjasin, ne po mundohemi nganjëherë t’i kryejmë shpejt, por nuk po përfundojnë siç po e parashikojmë. Kur të përfundojmë hetimet do të ngrihet aktakuza”, ka shpjeguar për “Zërin” prokurori i Prokurorisë Speciale në Kosovë, Abdurrahim Islami.

Për hetimin e keqpërdorimeve në Telekomin e Kosovës gazeta “Zëri” kishte raportuar javë më parë. Telekomi, që llogaritej si ndërmarrja më profitabile në vend, para një dekade ia paguante shtetit deri në mbi 50 milionë euro dividendë.

Ndërsa tash gjendet në prag të falimentimit për shkak të borxheve të grumbulluara.

Qeveria kërkon zgjidhje të shpejtë për Telekomin

“Nuk është e logjikshme t’i përgjigjemi ne si Qeveri ‘Valës’ për një ‘gropë’ të madhe të borxheve”, ishte shprehur para pak ditësh në mbledhjen e Qeverisë kryeministri Ramush Haradinaj, ku raportohej për gjendjen financiare në Telekomin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, e cila është njëkohësisht aksionare e kësaj ndërmarrjeje, po kërkon që të bëhet zgjidhje e shpejtë dhe e qëndrueshme për Telekomin. Kështu thuhet edhe në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim pranë Qeverisë.

“Kryeministri ka kërkuar në mbledhjen e Qeverisë të para disa ditëve që të bëhet një zgjidhje sa më e shpejtë për Telekomin. Ky është qëndrimi i Qeverisë, të gjendet zgjidhje e qëndrueshme për Telekomin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim në Qeverinë e Kosovës.

Kryeministri në të njëjtën mbledhje u kishte sugjeruar anëtarëve të Bordit të Telekomit t’i mendojnë politikat e tregut për mbijetesë.

Vetëvendosja ia dorëzon Kuvendit kërkesën për interpelancë lidhur me Telekomin

Paralajmërimi se ndërmarrja më përfituese në vend po shkon drejt falimentimit kishte ngjallur reagime të shumta në vend.

Shqetësimin e saj për situatën e krijuar në Postën dhe Telekomin e Kosovës e ka shprehur edhe Vetëvendosja.

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes të enjten dorëzoi në Kuvendin e Kosovës kërkesën për interpelancë lidhur me Telekomin dhe Postën e Kosovës.

Në kërkesën e tyre të interpelancës kërkohet që shkaktarët që e sollën Telekomin dhe Postën në këtë gjendje duhet të përballen me drejtësinë “Shkaktarët që e sollën Telekomin dhe Postën në këtë gjendje duhet të përballen e do të përballen me drejtësinë. Sot duket e vakët kjo mundësi për shkak të sistemit të drejtësisë që e ka Kosova. Por gjurmët e krimit në PTK nuk mund të fshihen as të humbin. Dhe as emrat që i kanë shkaktuar. Synimi është të propozojmë zgjidhje të kësaj situate, sepse Telekomi si biznes mund dhe duhet patjetër të shpëtohet. PTK-ja si biznes është para falimentimit dhe rrezikohet funksionimi i shërbimeve postare dhe telekomunikuese në vend. Kuvendi i Kosovës është i detyruar të ndërhyjë për ta siguruar ofrimin e pandërprerë të këtyre shërbimeve dhe të propozojë një rezolutë pas diskutimit në Kuvend”, thuhet në kërkesën e tyre mes të tjerash.