Protestë në shesh, festë në Gërmi

Ekonomia May 02, 2018 - 07:38
Lexo detajet

Një numër shumë i vogël i protestueseve, kryesisht udhëheqës dhe zyrtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë marrë pjesë të martën në protestën e organizuar nga sindikatat e Kosovës, ku kanë kërkuar kushte më të mira për punëtorët. Por në anën tjetër, të martën parku i Gërmisë në Prishtinë ka qenë me përplot qytetarë, të cilët kanë dalë për të festuar, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Rruga që të shpie te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës të martën dukej ndryshe për dallim prej ditëve të tjera.

Para kësaj ndërtese janë improvizuar trupa të “shtrirë” për toke, që simbolizojnë jetët e humbura të punëtorëve në vendin e tyre të punës, shiritat e Policisë, që vendosen në situata tragjike dhe një karrige që tradicionalisht vendoset në rast vdekjeje.

Pak metra larg këtij “instalacioni” dhjetëra përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) me pankartën që theksohet dukshëm “Qeveri boll më” kanë marshuar në rrugët e sheshit “Zahir Pajaziti” me një varg kërkesash.

LEXO EDHE: Luftimi i korrupsionit, nën 'llupën' e BE-së

Pas një kohe të gjatë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës vendosi që Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve të pritet me protestë.

Kryesindikalisti i Bashkimit të Sindikatave së Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, të martën u priu në këtë organizim dhjetëra përfaqësuesve të tjerë të federatave që janë në kuadër të këtij institucioni.

Numri i protestuesve në këtë organizim nuk ishte aq i madh, nëse krahasohet me shkallën e papunësisë në vend.

Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), bëhet e ditur se shkalla e papunësisë në Kosovë në vitin 2017 ka qenë 30,7 për qind. Por këta të papunë nuk janë parë duke ngritur në këtë numër “zërin” e tyre.

Sheshi “Zahir Pajaziti” nuk arriti të mbushet me protestues si parku nacional i Gërmisë dhe Liqeni i Batllavës, ku të papunët vendosën ta “festojnë” këtë ditë.

Ajdini: Sot i themi Qeverisë boll më!

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini e njëkohësisht organizator i protestës së 1 Majit, ka dërguar një varg kërkesash në emër të institucionit që përfaqëson dhe punëtorëve të Kosovës.

“Ne sot i themi Qeverisë boll më. Ne jemi unikë, jemi së bashku. Të gjithë, federatat sindikale dhe punëtorët. Mesazhi ynë është që të zbatohet ligji dhe të ngrihet paga minimale në 250, të njihet përvoja e viteve ’90-’99, siguria në punë dhe në shëndet. Duhet të respektohen kontratat kolektive dhe individuale, pasi ka shkelje masive e sidomos në sektorin privat. Nëse nuk i kërkojmë të drejtat tona edhe më radikale ju garantoj se ato nuk mund të realizohen”, ka thënë Ajdini para protestuesve.

Kërkesë tjetër e BSPK-së, të cilën e prezantoi Ajdini, ishte ngritja e pagës minimale në 250 euro dhe nivelizimi i pagave.

Gratë kërkojnë përfaqësim të barabartë në vendimmarrje me burrat

Të drejtat e tyre me rastin e 1 Majit, që njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, i kërkuan edhe gratë me shpresën që do të kenë përfaqësim të barabartë në vendimmarrje me burrat.

Shukrije Rexhepi, kryetare e Rrjetit të Gruas në (BSPK), shpalosi kërkesat e grave në emër të institucionit që përfaqëson. Rexhepi në mes të tjerash theksoi edhe ndalimin e ngacmimeve seksuale të grave në vendin e punës.

“Edhe ne përkrahim të drejtat e kërkuara nga BSPK-ja. Por edhe ne si gra i kemi disa kërkesa shtesë. Në radhë të parë kërkojmë barazi reale gjinore, që do të thotë përfaqësim 50-50 për qind, mundësi dhe paga të barabarta njëjtë si për burrat edhe për gratë. Kërkojmë barazi, kërkojmë që edhe gratë të vendosen në pozita vendimmarrëse 50-50. Të ndalohen rreptësisht ngacmimet seksuale në vendin e punës. Stop ngacmimeve dhe dhunës në vendin e punës!”, është shprehur kryetarja e Rrjetit të Gruas në (BSPK).

Ymeri: Me protesta ushtrohet trysni mbi institucionet

Në radhët e protestuesve ka qëndruar edhe deputeti nga radhët e Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP), Visar Ymeri. Por, në këtë protestë është parë tashmë edhe ish-bashkëpartiaku i tij, Albin Kurti.

Ymeri në një prononcim për “Zërin” tha se protestat janë mjeti më i rëndësishëm i punëtorëve që të ushtrojnë trysni mbi institucionet, që të mos u shkelen të drejtat e të mos u nëpërkëmbet dinjiteti.

“Punëtorët e organizuar janë kushti i domosdoshëm i një ekonomie dinamike dhe një shoqërie të drejtë. Dhe në këtë drejtim konsideroj që kjo protestë e sotme dhe protestat e ngjashme që kanë ndodhur duhet të ndodhin më shpesh, janë mjeti shumë i rëndësishëm i punëtorëve që të ushtrojnë trysni mbi institucionet, në mënyrë që e drejta e tyre të mos shkelet dhe dinjiteti i tyre të mos nëpërkëmbet”, ka deklaruar deputeti i GDP-së, Visar Ymeri.

Bashkëpjesëmarrësi në këtë protestë, Ymeri, ka theksuar se duhet të ketë një organizim të protestave në Kosovë në mes sindikatave e punëtorëve.

“Domosodomërisht në Kosovë duhet të kemi një kombinim mes protestave që organizohen nga sindikatat dhe punëtorët me përfaqësimin politik të këtyre punëtorëve në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që këto të drejta të realizohen. Natyrisht se nuk është e lehtë, mirëpo po nuk u realizuan kërkesat, atëherë do ta kemi një shoqëri e cila e thellon pabarazinë dhe padrejtësinë. Kështu neve na duhet shoqëri e cila e ka një shpërndarje ose rishpërndarje më të drejtë të pasurisë, që do të mundësonte jetë të dinjitetshme në përgjithësi”, ka përfunduar Ymeri.

Pas protestës kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësues të sindikatave në Kosovë: kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura (BSPK) Avni Ajdinin, kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë Jusuf Azemin, si dhe kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) Rrahman Jasharajn.

Kujtojmë se në bazë të të dhënave, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti në vendin e punës kanë humbur jetën katër persona.

Ndërsa në dy vjetët e fundit gjithsej 32 persona tragjikisht kanë humbur jetën në vendin e punës.

Ndërsa në bazë të të dhënave të Inspektoriatit të Punës, për tre muaj janë identifikuar 179 punëtorë pa kontrata, të cilët thuhet se janë legalizuar pastaj.

Festë në Gërmi

Dita Botërore e Punëtorëve, 1 Maji, qytetarët e Kosovës i gjeti duke festuar. Me daulle e tupanë ata ia mësyn parkut të Gërmisë në Prishtinë dhe numri i tyre nuk ishte i vogël.

1 Maji në botë njihet si Dita e Punëtorëve dhe ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë u referohet protestave të punëtorëve për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës dhe për kërkesa të tjera, që atyre u mungonin.

Në lidhje me këtë disa prej qytetarëve për “Zërin” kanë thënë se kushtet e punëtorëve në Kosovë nuk respektohen aq sa duhet, por që janë të kënaqur me atmosferën dhe me natyrën e Gërmisë.

“Është puna që po e festojnë njerëzit, është një festë e mirë dhe vendi është shumë i mirë. Kushtet e punëtorëve në Kosovë nuk po zbatohen. Si duhet jo. Nuk është gjendja e mirë se nuk po mendojnë për popull, po veç për vete”, ka thënë njëri nga qytetarët që po e kalonte këtë ditë në Gërmi.

Se gjendja e kushteve të punës dhe papunësia në Kosovë është fenomen shqetësuese e pohoi edhe një student.

“Jam ende në studime. Shumica në diplomim janë të papunë, është niveli i papunësisë i lartë dhe gjendja nuk është fare e mirë për ne”, tha ai. 

Në anën tjetër, një qytetar fajin për krejt këtë gjë ia hodhi moszhvillimit të ekonomisë, pasi që sipas tij mungesa e prodhimit dhe e shpërndarjes së tyre në Kosovë dhe rajon pamundëson zhvillim dhe plotësim të kushteve.

“Në Kosovë nuk ka shanse të plotësohet asnjë kusht shkaku që nuk ka prodhim. Pa u bërë prodhime inovative për t’u plasuar në Kosovë dhe në Evropë ekonomi të Kosovës nuk ka. Sot edhe është protestuar, edhe është festuar. Duhet të protestojmë, por me protesta Kosova u ngop prej vitit 1981 e deri më tani me qindra e pothuajse me mijëra protesta. Protestat nuk janë zgjidhje, zgjidhja është të ulemi në tavolinë e të bëjmë kërkesa të shkruara, t’i i adresojmë në institucione si duhet, sepse edhe protestat po bëhen vetëm sa për sy e faqe”, ka thënë ai.

Në parkun e Gërmisë përveç qytetarëve të shumtë janë parë edhe punëtorë të Hortikulturës, të cilët vazhdimisht kanë pastruar dhe janë kujdesur për terrenin në park. Po ashtu prezentë kanë qenë edhe policë, pasi që rrugët në drejtim të Gërmisë kanë qenë të bllokuara për vetura.