Kërkohet nga MMPH-ja mbyllja e fabrikës në Mitrovicë

Ekonomia May 01, 2018 - 18:05
Detajet

Banorët e “Lagjes së Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, të cilët për të satën herë kanë protestuar kundër punës së një fabrike për përpunimin e vajrave motorike, që është e vendosur në cep të Ibrit në jug, i kanë kërkuar ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj që ta mbyllë fabrikën dhe ta zhvendosë në një lokacion larg shtëpive të banimit, shkruan Gazeta "Zëri".

Mitrovicë Banorët e “Lagjes së Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës edhe më tutje janë duke u përballur me problemin e ndotjes së ajrit nga një fabrikë për përpunimin e vajrave motorike që ndodhet në jug, në afërsi të lumit Ibër. Ata thonë se është tepër e vështirë jeta në këtë lagje ngase erërat toksike që vijnë nga fabrika dhe ndotja e madhe e ajrit nuk i lënë të marrim frymë.

Ata thonë gjithashtu se edhe banorët e lagjeve të tjera në afërsi, në jug, përballen me të njëjtin problem dhe se ata kanë shprehur shumë herë shqetësimin e tyre me gjendjen në të cilën ndodhen. Banorët e “Lagjes së Boshnjakëve”, si dhe ata të lagjes “2 Korriku” dhe të Shupkovcit i kanë thënë “Zërit” të hënën se kundërshtimin e tyre lidhur me punën e fabrikës për përpunimin e vajrave motorike, që funksionojnë në jug, në afërsi të lagjes së tyre, e kishin shprehur që prej fillimit të punës së fabrikave, edhe në vitin 2016, edhe në vitin e kaluar. Sipas tyre, aktualisht rreziku për shëndetin e tyre vjen nga fabrika “BAS Partners”, e cila punon zakonisht ditëve të pushimit, festave dhe natën.

Një prej tyre, Mentor Feka, i ka thënë “Zërit” se banorët e lagjes kishin kërkuar nga kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ta ndalë punën e fabrikës, por inspektorët që kishin shkuar nuk kishin mundur të bëjnë asgjë. “E kemi pas nënshkruar edhe një peticion, të cilin ia patëm dërguar kryetarit Bahtiri në fillim të vitit 2017, ndërsa ka pasur raste kur jemi detyruar ta thërrasim edhe Policinë, sepse gjendja vërtet ishte bërë e padurueshme”, ka thënë ai. Sikurse Feka thonë edhe banorët e tjerë të “Lagjes së Boshnjakëve”, të cilët këtë gjendje e përjetojnë edhe më rëndë se banorët e lagjeve në jug. Shqetësimin e tyre e kanë shprehur edhe përfaqësues të Këshillit të Veriut për shkak të rrezikut për shëndetin e qytetarëve, siç kanë thënë ata, “nga erërat toksike që vijnë nga fabrika e përpunimit të vajrave motorike, që ndodhet në jug të Ibrit, fare pranë lagjes së tyre”.

Florent Azemi, banor i “Lagjes së Boshnjakëve”, i pati thënë “Zërit” se me punën e fabrikës për përpunimin e vajrave motorike, që vepron në afërsi të lagjes së tij, është rrezikuar shëndeti i banorëve të kësaj lagjeje. Pas reagimit të banorëve Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, më 23 korrik 2017, kishte dërguar inspektorët e vet, të cilët shoqëroheshin edhe nga ata komunalë, për të verifikuar nëse dy fabrikat që atëherë punonin, NTP “Holding” dhe “Bas Partners”, janë duke punuar.

Inspektorët kishin konstatuar se asnjëri prej tyre nuk ka leje pune për të vepruar dhe në këtë mënyrë, siç ka thënë kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri, që shoqëronte inspektorët, se inspektorët e MMPH-së duhej lëshuar vendimet për ndërprerjen e punës së tyre. Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor pas inspektimit pati lëshuar një komunikatë me anë të së cilës pati njoftuar se MMPH-ja nuk u ka lëshuar kurrfarë lejesh operatorëve në Mitrovicë, BTP “Holding” dhe “BasPartners”.

“Ju vëmë në dijeni se operatorët në fjalë nuk janë të pajisur me leje mjedisore, por pasi janë të pajisur me pëlqime komunale nga Komuna e Mitrovicës për vendosjen e objekteve në këto dy lokacione konform normativave ligjore edhe nga MMPH-ja janë pajisur me pëlqime mjedisore. Pëlqimi mjedisor nuk është leje mjedisore, por është pëlqim paraprak dhe kusht për marrjen e lejes ndërtimore nga Komuna dhe për plotësimin e kritereve për leje mjedisore, që do të thotë se operatorët në fjalë nuk posedojnë leje nga MMPH-ja. Në ndërkohë operatori BTP “Holding” ka bërë kërkesë në MMPH për dislokim të aktivitetit.

Ndërsa ndaj “BasPartners” Inspektorati i MMPH-së më datën 27.03.2017 ka nxjerrë aktvendim për ndërprerjen e aktivitetit të punës në fazën e testimit të pajisjeve dhe për çdo testim të tyre paraprakisht është i obliguar t’i njoftojë organet komunale dhe organet e MMPH-së”, thuhej në komunikatën e MMPH-së.

Por, duket që në ndërkohë “Bas Partners” është pajisur me leje pune pikërisht nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Pronarët e fabrikës “Bas Partners” kanë thënë se kanë marrë licencën nga Ministria e Ambientit. Ata kanë thënë gjithashtu se Ministria e Ambientit ka kërkuar analiza, të cilat i kanë bërë instituti nga Novi Sadi.

“Analizat për vërtetimin e cilësisë së ndotjes së ajrit, që i ka bërë instituti i Novi Sadit, i kanë dërguar qe dy javë, kur kanë ardhur është konstatuar se janë brenda normave. Analizat janë kryer nën monitorimin e inspektorëve të Ministrisë së Ambientit”, thotë njëri prej pronarëve të “Bas Parnters”, Masar Bashota. Ai ka shtuar se banorët nuk rrezikohen nga puna e fabrikës së tij. Në komunën e Mitrovicës i kanë thënë “Zërit”, të hënën, se Inspektorati i Komunës nuk ka kompetenca për të kontrolluar punën e fabrikës, pasi që Ministria e Ambientit e ka pajisur atë me leje pune dhe e ka për obligimin edhe ta kontrollojë.

Megjithatë, banorët e lagjeve të Mitrovicës kanë vendosur që me një peticion t’i drejtohen ministres Reshitaj me kërkesën që fabrika të mbyllet dhe të zhvendoset në një hapësirë tjetër.