Thaçi: Pagat e punëtorëve, pothuajse të barabarta me vendet e rajonit

Ekonomia May 01, 2018 - 12:50
Lexoni më shumë detaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se çdo punëtor në Kosovë sot vlerësohet më shumë se në të kaluarën dhe se pagat e tyre janë pothuajse në nivel të barabartë me vendet e rajonit.

Thaçi i bëri këto komente në profilin e tij zyrtar në rrjetin social "Facebook", në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Ai po ashtu tha se Kosova ka hartuar ligje moderne që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, porse kërkohet një zbatim dhe monitorim më i mirë i tyre.

"Varësisht prej vendeve dhe kulturave të tyre, ka pikëpamje të ndryshme për 1 Majin, por kjo ditë gjithmonë është festuar te ne. Duke ua uruar të gjithëve festën, unë ndaj shqetësimin me të gjithë punëtorët, si të sektorit publik, ashtu edhe të atij privat, si dhe u bashkohem kërkesave të tyre për kushte më të mira të punës dhe të drejta më shumë për punëtorët", tha Thaçi.

Postimi i plotë pa ndërhyrje i presidentit Thaçi: 

Çdo punëtor në Kosovë, sot vlerësohet më shumë se në të kaluarën. I kemi rritur disa herë pagat dhe tash ato janë pothuajse në nivel të barabartë me vendet e rajonit.

Kemi hartuar ligje moderne që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por kërkohet një zbatim dhe monitorim më i mirë i tyre.

Varësisht prej vendeve dhe kulturave të tyre, ka pikëpamje të ndryshme për 1 Majin, por kjo ditë gjithmonë është festuar te ne.

Duke ua uruar të gjithëve festën, unë ndaj shqetësimin me të gjithë punëtorët, si të sektorit publik, ashtu edhe të atij privat, si dhe u bashkohem kërkesave të tyre për kushte më të mira të punës dhe të drejta më shumë për punëtorët.

Si shtet i ri duhet të kemi një përkujdesje më dinjitoze për të gjitha kategoritë shoqërore, ku shtylla më e fortë e ekonomisë dhe Republikës sonë padyshim se janë të gjithë punëtorët.