Për 1 Maj pushojnë edhe inspektorët e punës

Ekonomia May 01, 2018 - 08:00
Lexoni më shumë detaje

Kosova sikurse edhe shtetet e tjera sot do ta shënojë Ditën Ndërkombëtare të Punës, 1 Maji, apo siç njihet dita kur punëtorët kërkojnë të drejtat, liritë dhe kushte më të mira të punës dhe jetesës.

Kjo ditë në Kosovë është në kuadër të Festave Zyrtare, ku në shumicën e rasteve shënohet duke pushuar, ndërsa një pjesë tjetër e shënojnë duke festuar me familjarë dhe miq.

Por, gjatë ditës së nesërme, Inspektorati i Punës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka paraparë të pushojë dhe të mos ketë ndonjë inspektim se sa po zbatohet Ligji për Festa Zyrtare.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi tha për KALLXO.com se inspektorët kanë nevojë të kenë ditë pushimi në Ditën Ndërkombëtare të Punës, 1 Majin.

“Nuk kemi paraparë të bëjmë inspektim. Edhe inspektorët kanë nevojë për pushim sikurse edhe të tjerët që kanë nevojë për pushim”, tha Ibrahimi.

I pyetur nëse ka qenë e mundur që dikush nga inspektorët të jetë në kujdestari gjatë festës, meqë kompensimi për punonjësit në ditë të festave zyrtare është i përcaktuar me Ligjin e Punës, Ibrahimi tha se kjo është një ditë pushimi për ata që duan të pushojnë.

“Për çka me dalë nesër specifikisht. Kjo është ditë pushimi për ata që duan të punojnë. Është festë zyrtare por askush nuk e ndal punën. Edhe nesër mund të punojnë sikurse ditëve tjera por me specifika që janë, që ai duhet të kompensohet sipas Ligjit të Punës dhe sipas Ligjit për Festë Zyrtare. Nuk është e ndaluar të punojnë”, tha Ibrahimi.

Me Ligjin e Punës, në Kosovë, ata që janë në marrëdhënie pune kanë të drejtë kompensimi material dhe ditë pushimi në rast se kanë punuar në ditët e festave zyrtare.

Neni 56, paragrafi 1 i Ligjit të Punës thotë se “Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës”.

Në rast të moskompensimit material, ky Ligj në nenin 56 pikën 4 po ashtu parasheh që “I punësuari mund të kërkojë nga punëdhënësi që në vend të pagës shtesë nga paragrafi 2. i këtij neni, kompensimi t’i bëhet me ditë pushimi”.

Kryeinspektori Ibrahimi tha se edhe nëse do të donin të kryenin inspektim do të ishte e pamundur të bëhet për shkak të numrit të vogël të inspektorëve që ka ky institucion.

“Ne edhe ashtu nuk mundemi me i inspektu të gjitha kompanitë të cilat kishin me punu nesër. Ju e dini që ne nuk kemi inspektor të mjaftueshëm. Me i pasë edhe 1 mijë inspektorë nuk arrijmë t’i inspektojmë të gjitha, kështu qe nuk ka ndonjë arsye të veçantë, ajo është sikurse ditëve të tjera përveç se duhet të bëhet pagesa shtesë për secilin punëtorë që punon”, deklaroi Ibrahimi.

Ndërsa gjatë ditës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka njoftuar qytetarët se  nëse djegin goma për 1 Maj do të gjobiten nga 100 euro për shkak ta pasojave të mëdha për mjedisin që sjell djegia e tyre.