Mbi 4 milionë euro shmangie tatimore në Zubin Potok
Foto: Laura Hasani

Mbi 4 milionë euro shmangie tatimore në Zubin Potok

Ekonomia prill 12, 2018 - 09:19
Ja çfarë u sekuestrua nga ky aksion

Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe i Inteligjencës me asistimin e njësive speciale kanë zhvilluar një aksion kontrolli në Zubin Potok, në katër lokacione për shkak të dyshimit se janë kryer veprimtari të kundërligjshme, transaksione fiktive. Policia në veri ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë  kontrolli, por vetëm janë dorëzua 4 ftesa për Inspektori Financiar, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Mbi 4 milionë euro vlerësohet të jenë shmangiet e tatimeve nga të paktën 4 subjekte ekonomike në Zubin Potok.

Për shkak të këtyre dyshimeve Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe i Inteligjencës në mëngjesin e së mërkurës ka zhvilluar një aksion kontrolli në Zubin Potok, në katër lokacione nën dyshimin se janë kryer veprimtari të kundërligjshme, transaksione fiktive.

LEXO EDHE: Deklarohen të pafajshëm dhjetë të akuzuarit e ''Syrit të Popullit''

ATK-ja nëpërmes një komunikate ka njoftuar se aksioni është zhvilluar me sukses dhe pa ndonjë problem, ku në mbështetje të zyrtarëve të DHTI-së kanë qenë njësitë speciale, ndërsa aksioni është zhvilluar me autorizim të prokurorit, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas ATK-së e duke iu referuar të dhënave nga terreni, janë gjetur disa dëshmi se personat dhe subjektet e caktuara janë marrë me veprimtari të kundërligjshme, lëshimin e faturave fiktive.

LEXO EDHE: Kosova me rritje ekonomike të paqëndrueshme

Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova materiale, si USB dhe dokumentacion tjetër që dëshmojnë shmangie tatimore, ndërsa vlera e faturave fiktive të lëshuara dyshohet të jetë mbi 4 milionë euro.

Në një komunikatë të ATK-së thuhet mes tjerash se Qeveria e Kosovës ka shprehur përkushtimin për të parandaluar dhe për të luftuar ekonominë joformale.

“Kjo është bërë duke hartuar dhe duke zbatuar një sërë ligjesh shtetërore në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duke krijuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe për Luftimin e Ekonomisë Joformale. Si institucion i specializuar dhe me autorizime të veçanta ligjore për të parandaluar dhe për të luftuar ekonominë joformale dhe evazionin fiskal Administrata Tatimore e Kosovës ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë veprime përkatëse ligjore në funksion të zbatimit të kësaj Strategjie të Qeverisë”, thuhet në komunikatën e Administratës Tatimore të Kosovës.

ATK-ja i fton të gjithë bizneset dhe qytetarët që ushtrojnë çfarëdo aktiviteti afarist t’u përmbahen kërkesave ligjore në fuqi, të deklarojnë dhe të paguajnë me kohë tatimet sipas ligjeve në fuqi, në mënyrë që të mos jenë pjesë e masave ndëshkuese penale, të konfiskimit dhe të sekuestrimit të pasurisë.

Në anën tjetër serbët e veriut të Kosovës, posaçërisht ata të Zubin Potokut, nuk e kanë pritur mirë prezencën e njësive speciale të Policisë së Kosovës, që po i shoqëronin zyrtarët e ATK-së në Zubin Potok dhe po asistonin gjatë kontrollit.

Madje ishte dhënë alarmi se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, të cilat nuk i përkasin rajonit të Mitrovicës së Veriut kishin shkuar në Zubin Potok dhe kishin filluar arrestimin e njerëzve.

Por, të gjitha këto i ka demantuar zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti.

Ai ka siguruar se ATK-ja i ka dorëzuar katër ftesa për Inspektoratin Financiar në katër lokacione të ndryshme dhe Njësia Intervente e Drejtorisë Rajonale e Mitrovicës Veri vetëm ka asistuar.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë aksioni të bastisjes. Pra, janë dorëzuar ftesa në katër lokacione në të njëjtën kohë. Gjithçka ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur as edhe një problem”, ka sqaruar zëvendëskomandanti i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti.