Kreditë e këqija bien në 3,1%

Ekonomia March 09, 2018 - 08:05

Kreditë joperformuese në vendin tonë gjatë muajit janar kanë rënë në 3,1 për qind, duke shënuar kështu nivelin më të ulët thuajse nga konsolidimi i sektorit financiar e deri më tash, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në raport me vendet e rajonit Kosova vazhdon të kryesojë për nga përqindja shumë e ulët e kredive joperformuese.

LEXO EDHE: Pronat i trashëgojnë burrat, jo gratë!

Nëse e bëjmë një kalkulim të thjeshtë del se shuma e kredive joperformuse në bankat kosovare është rreth 75 milionë euro, nga më shumë se 2.4 miliardë euro sa është shuma totale e kredive që kanë lëshuar deri në muajin janar të gjitha bankat që operojnë në vendin tonë. Sipas raportit të BQK-së, shihet se rritja vjetore e kredive është 11,3 për qind e ku nga kjo përqindje për ekonomitë familjare rritja vjetore e kredive është 12,8 për qind, derisa për ndërmarrje është 10,7 për qind, shkruan tutje "Zëri".

E në anën tjetër, shuma e depozitave deri në këtë kohë ka arritur të jetë mbi 3 miliardë euro e ku për ekonomitë familjare ka një rritje prej 0,9 për qind, derisa për ndërmarrje 13,9 për qind.

Sipas raportit të fundit të BQK-së, shihet se gjatë muajit janar të këtij viti të hyrat e bankave kanë qenë 19.8 milionë euro, ku nga kjo shumë 15.2 milionë euro janë të hyra nga interesi e derisa në anën tjetër gjatë kësaj periudhe kohore shpenzimet e bankave kanë qenë 12.6 milionë euro, ku nga kjo shumë 1.5 milion euro janë shpenzime të interesit, derisa pjesa tjetër janë shpenzime administrative. Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se muaji janar i këtij viti po ashtu ka qenë i suksesshëm për bankat komerciale, ku të gjitha së bashku kanë arritur ta krijojnë një profit neto prej 7.2 milionësh euro.

Po ashtu vitin me një profit të konsiderueshëm sivjet e kanë nisur edhe 18 institucione mikrofinanciare, që operojnë në vendin tonë.

Gjatë muajit janar të këtij viti këto të gjitha së bashku kanë arritur ta krijojnë një profit neto prej 800 mijë eurosh.

Gjatë muajit janar të këtij viti të hyrat e mikrofinancave kanë qenë 3 milionë euro, ku nga kjo shumë 2.2 milionë euro janë shpenzime.

Gjatë muajit janar norma e interesit në kreditë që kanë lëshuar institucionet mikrofinanciare në vend është 23,6 për qind.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore duke operuar mirë janë edhe kompanitë e sigurimeve, biznese këto që në vazhdimësi monitorohen nga Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas raportit të BQK-së, shihet se gjatë muajit janar të këtij viti profiti i kompanive të sigurimeve ka arritur në 6.9 milionë euro.