Tërhiqen investimet në industri e në bujqësi, rriten në patundshmëri

Ekonomia March 07, 2018 - 09:00

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë 11 muajve të parë të vitit që lamë pas 270.1 milionë euro ka arritur shuma e investimeve të huaja në vendin tonë. sipas këtyre të dhënave vetëm në sektorin e patundshmërisë janë investuar 170.8 milionë euro, derisa në industri e në bujqësi janë tërhequr investimet prej 6.4 milionë eurosh. shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Hiç më pak se 171 milionë euro investime të huaja gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit që lamë pas janë investuar vetëm në sektorin e patundshmërisë në gjithë Kosovën.

LEXO EDHE: Për tre vjet 35 mijë kosovarë të kthyer nga Evropa

Edhe më tutje shuma të mëdha parash në emër të investimeve të huaja vazhdojnë të shpenzohen në sektorin e patundshmërisë, duke dhënë kështu një pasqyrë mashtruese sa i përket investimeve të huaja direkte në vendin tonë.

Njohës të rrethanave ekonomike në vend bëjnë të ditur se pjesa dërrmuese e investimeve të huaja janë mjete të qytetarëve të Kosovës që jetojnë nëpër shtete të ndryshme të botës e të cilët kohëve të fundit një pjesë të kapitalit të tyre e kanë investuar në blerje të banesave, të shtëpive apo edhe të trojeve në gjithë territorin e Kosovës.

Një pjesë shumë e vogël e këtyre mjeteve ka hyrë në zhvillimin e sektorit të ekonomisë së vendit tonë.

Njohës të rrethanave ekonomike në vend bëjnë të ditur se pjesa dërrmuese e investimeve të huaja janë mjete të qytetarëve të Kosovës që jetojnë nëpër shtete të ndryshme të botës e të cilët kohëve të fundit një pjesë të kapitalit të tyre e kanë investuar në blerje të banesave, të shtëpive apo edhe të trojeve në gjithë territorin e Kosovës.

Një pjesë shumë e vogël e këtyre mjeteve ka hyrë në zhvillimin e sektorit të ekonomisë së vendit tonë.

Gjermania prin me investime

Gjithnjë duke u bazuar të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se Gjermania prin për nga shuma e investimeve të huaja direkte në vendin tonë, ku sipas të dhënave zyrtare shihet se gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit që lamë pas nga ky shtet në vendin tonë kanë ardhur 50 milionë euro.

Pas Gjermanisë, ashtu edhe sikurse në të kaluarën Zvicra renditet e dyta me 45.5 milionë euro investime, duke u pasuar nga Britania e Madhe me 42.2 milionë euro investime.

Gjatë vitit që lamë pas Turqia e ka zënë vendin e katër për nga shuma e investimeve me 35 milionë euro, derisa Austria e ka vendin e 6-të me 23.1 milionë euro.

Po ashtu në 11 muajt e parë të vitit 2017 Emiratet e Bashkuara Arabe në vendin tonë kishin investuar 13.1 milionë euro, Italia 5.5 milionë euro, Franca 3.3 milionë euro dhe të gjitha shtete tjera së bashku 28.64 milionë euro.

Tërhiqen investimet në industri e në bujqësi

Sipas të dhënave të BQK-së shihet se nga 270 milionë euro sa është shuma totale e investimeve të huaja në vendin tonë 170.8 milionë euro janë investime në patundshmëri, në qiradhënie dhe në aktivitetet biznesore.

Po ashtu, në shërbime financiare gjatë kësaj periudhe kohore janë investuar më shumë se 50 milionë euro e derisa në sektorin e industrisë gjatë kësaj periudhe kohore janë tërhequr investimeve në vlerë prej 5.1 milionë eurosh.

Në shërbime tregtare për 11 muaj në emër të investimeve të huaja në vendin tonë janë investuar 8.2 milionë euro, derisa në kategorinë e identifikuar si shërbime tjera janë investuar 5 milionë euro.

Në sektorin mineral për 11 muaj në Kosovë nga investitorët e huaj janë investuar 4.5 milionë euro, derisa në transport dhe në komunikim janë tërhequr investime prej 2.9 milionë eurosh.

Në energjetikë për 11 muaj janë investuar 2.5 milionë euro, në kategorinë tjetër të identifikuar si aktivitete tjera të pakualifikuara diku tjetër janë investuar 1.4 milion euro, derisa në bujqësi janë tërhequr investime prej 1.3 milion eurosh.

Në sektorin e ndërtimit gjatë 11 muajve të parë të vitit që lamë pas janë investuar 36.1 milionë euro, derisa në hoteleri janë investuar për 11 muaj vetëm 700 mijë euro.

Rukiqi: Asnjë kompani me renome në vendin tonë

Berat Rukiqi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, thotë se çështja e investimeve të huaja direkte mbetet një ndër më problematiket në Kosovën e pasluftës. Sipas tij, vendi ynë me gjithë pritjet që pas shpalljes së pavarësisë të jetë shumë më atraktiv për investime nuk ka arritur të tërheqë investime serioze, qoftë për nga vlera, qoftë për nga investitorët e mëdhenj dhe të cilët kanë emër dhe janë prezentë në shumicën e vendeve të rajonit.

“Me rastin e shënimit të 10-vjetorit të Pavarësisë, në analizat tona kemi tentuar t’i trajtojmë edhe IHD-të dhe ajo që kemi vërejtur nga databaza e investitorëve të huaj direkt në Kosovë nuk kemi gjetur asnjë kompani të vetme që ka renome ndërkombëtare ose që është në nivelin e korporatave multinacionale, përveç disa investimeve në sektorin bankar ose në Telekom. Statistikisht dhe sipas definicionit, edhe patundshmëritë llogariten investime, pra nuk është mashtrim në të dhëna, por efekti i tyre në ekonomi është shumë më i vogël sesa investimet e ashtuquajtura ‘Greenfield’. Kosova ka minimalisht investime ‘Greenfield’ në këto 19 vjet të pasluftës”, ka thënë ai.

Investimet e huaja sipas shteteve janar – nëntor 2017:

  • Gjermania                    50.06
  • Zvicra                          45.5
  • Britania e Madhe        42.4
  • Turqia                          35.1
  • SHBA                         23.4
  • Austria                                    23.1
  • Emiratet Arabe            13.1
  • Italia                            5.5
  • Francë                                     3.3
  • Të tjera                        28.64
  • Total:                          270.1 

Investimet e huaja sipas sektorëve janar – nëntor 2017:

 

  • Patundshmëria, qiradhënia dhe aktivitetet biznesore      170.8
  • Shërbimet financiare                                                       50.02
  • Industria                                                                          -5.1
  • Shërbimet tregtare                                                          8.2
  • Shërbimet tjera /1                                                            5
  • Miniera                                                                            4.5
  • Transport dhe komunikim                                               -2.9
  • Energjetika                                                                      2.5
  • Aktivitete tjera të pakualifikuara diku tjetër                     1.4
  • Bujqësia                                                                          -1.3
  • Ndërtimi                                                                          36.1
  • Hotelet dhe restorantet                                                   0.7