5.5 milionë euro për qira të printerëve dhe të fotokopjeve

Ekonomia March 06, 2018 - 08:57

Përmes një tenderi publik të ndarë në dy llote Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka përzgjedhur dy kompani për shfrytëzim të fotokopjeve dhe të printerëve me qira. Për Llotin e Parë AQP-ja ka përzgjedhur konsoricumin “Rikon & Artitech”, ku vlera e kontratës është 3.7 milionë euro, derisa për Llotin e Dytë ka përzgjedhur kompaninë “Art House” e ku vlera e tenderit është 1.8 milion euro, shkruan st Gazeta "Zëri"

Më shumë se 5.5 milionë euro do t’i shpenzojnë institucionet e vendit gjatë gjashtë vjetëve të ardhshme vetëm për ta bërë pagesën e qirave të fotokopjeve dhe të printerëve, të cilat ata i kanë marrë me qira nga operatorët privatë.

Para pak ditësh Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka nënshkruar kontratat me dy kompani për t’u marrë me qira fotokopjet dhe printerët për nevoja të 79 institucioneve të nivelit qendror dhe të atij lokal.

Në bazë të dokumenteve që ka siguruar gazeta Zëri shihet se për Llotin e Parë AQP-ja ka nënshkruar kontratën me konsoricumin “Rikon&Artitech” e ku vlera e kontratës është 3.7 milionë euro, derisa për Llotin e Dytë ka përzgjedhur kompaninë “Art House”, ku vlera e tenderit është 1.8 milion euro, vlera totale arrin mbi 5.5 milionë euro.

AQP-ja parasheh printimin e 830 milionë fletëve

Gjatë kësaj periudhe kohore AQP-ja ka paraparë se institucionet e vendit do t’i printojnë hiç më pak se 830 milionë fletë të formatit A4.

E nëse e bëjmë një kalkulim të thjeshtë për ditët e punës brenda një viti mesatarja e printimeve në ditë për institucion del të jetë mbi 6700 fletë të formatit A4.

Në dy kontratat e nënshkruara e të cilat i ka siguruar gazeta “Zëri” thuhet se të gjitha përgjegjësinë për mirëmbajtjen e tyre, por edhe për sigurimin e tonerëve, janë të operatorëve privatë, ku të gjitha këto janë të përfshira në çmimin me të cilën kompanitë kanë nënshkruar kontratën me AQP-në.

“Në çmimet-njësi duhet të përfshihen të gjitha shpenzimet si transporti i pajisjeve dhe i stafit, shpenzimet e tjera transite/anësore dhe të gjitha pjesët rezervë, duke përfshirë tonerë/ cartidge, softuerë .. etj., si dhe koston për skanim. Në çmim do të llogariten edhe shërbime të fotokopjimit kolor, ku një faqe kolor gjatë kalkulimit do të llogaritet si dy faqe bardhezi për printim A4. Ndërsa printimin A3 aparatet e llogarisim si dy faqe A4”, thuhet në kontratën e nënshkruar mes AQP-së dhe operatorit ekonomik (OE) fitues.

Aty më tutje thuhet se autoritetet kontraktuese shfrytëzuese të kësaj kontrate posedojnë fotokopje të cilat kanë mundësi të integrohen në sistem, me kartela të rrjetit do t’i marrin në shfrytëzim ato, derisa mungesa do të kompensohet me sjellje të aparateve.

“Aparatet që janë në dispozicion të autoriteteve kontraktuese do të mirëmbahen nga kontraktuesi me të gjitha shpenzimet e llogaritura në çmimin e ofertuar për faqe, si në rastin e aparatit të kontraktuesit, pa ndonjë ndryshim të çmimit të ofertuar. Aparatet që posedohen nga autoritetet janë rreth 30% të sasisë së nevojshme për kryerjen e këtyre shërbimeve, por kjo varion nga institucioni në institucion dhe mbetet që kontraktuesit t’i shtojnë aparatet sipas nevojave të autoriteteve kontraktuese, pavarësisht se sa është numri i tyre. Në përfundim të kontratës kontraktuesit do t’i dorëzojnë në gjendje të rregullt të punës këto aparate të AK-së”, thuhet në kontratë. Aty më tutje thuhet se këto aparate do të pranohen/dorëzohen nga një komision i autoritetit kontraktues me procesverbal me shkrim. “Sasia indikative është përafërsisht e saktë, por sidoqoftë kontraktori do të kryejë shërbime deri në përfundim të kontratës dhe ato shërbime do të faturohen në pajtim me përmbajtjen e dosjes së tenderit”, thuhet më tutje në sqarimin, që është pjesa e kontratës së nënshkruar mes operatorëve ekonomikë fitues dhe Agjencisë Qendrore të Prokurimit.

Ankesa e “Info Com”-it

E pakënaqur me këtë proces prokurimi, kompania “Info Com” ishte drejtuar në fillim me ankesë në Agjencinë Qendrore të Prokurimit e ku ankesa e kompanisë në fjalë ishte hedhur poshtë pasi është bërë jashtë afateve ligjore.

Më pastaj kompania në fjalë ishte drejtuar me ankesë edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por edhe kjo e fundit kishte marrë vendim të njëjtë sikurse autoriteti kontraktues. Por në ankesën e kompanisë “Info Com”, e cila është publikuar në uebfaqe të OSHP-së, thuhet se gjatë këtij procesi të prokurimit autoriteti kontraktues ka bërë shkelje të Nenit 7.28 dhe 52 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).

Në ankesën e kësaj kompanie thuhet se autoriteti kontraktues në rastin e njoftimit për kontratë për këtë aktivitet prokurimi ka bërë shkelje të ligjit pasi, sipas tyre, në dosje të tenderit i është referuar një prodhuesi “Xerox” më të njëjtat specifika, që janë karakteristika vetëm për këtë prodhues.

“Këto specifika neve si operator ekonomik na pamundësuan pjesëmarrjen në këtë aktivitet të prokurimit, sepse segmenti 3 i kërkuar nga autoriteti kontraktues na pamundëson të ofrojmë çmime konkurrente karshi këtij produkti, i cili i është përshtatur prodhuesit “Xerox”. Pra, autoriteti kontraktues ka bërë diskriminim ndaj produkteve tona, që pretendojmë t’i ofrojmë për këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në ankesën e kompanisë në fjalë.

Institucionet që janë pjesë e tenderit për Llotin e I

Administrata Tatimore e Kosovës, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Agjencia Statistikore e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Autoriteti i Konkurrencës,  Agjencia Kadastrale e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsionit, Agjencia për Administrimin e Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Agjencia Kosovare e Pyjeve, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Agjencia Kosovare për Produktet Mjekësore, Agjencia Kosovare e Pronës, Agjencia Qendrore e Prokurimit, Akademia e Kosovës për Sigurinë Publike, Akademia e Arteve dhe Shkencës, Autoriteti i Aviacionit Civil, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, Avokati i Popullit, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Komisioni për Konkurrencë i Kosovës, Komisioni për Mbështetje Juridike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Parlamenti i Kosovës, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Diasporës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Forcës së Sigurisë, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit, Ministria e Inovacionit, Ministria e Zhvillimit Rajonal – MZHR, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Paneli Zgjedhor i Shqyrtimit të Ankesave dhe Parashtresave, Prokuroria e Shtetit, Qendra Studentore, Qendra Universitare e Klinikës Stomatologjike të Kosovës, Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Sekretariati i Këshillit të Sigurimit të Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Zyra Administrative në Mitrovicë, Zyra e Kryeministrit, Zyra e Presidentes, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Institucionet që janë pjesë e tenderit për Llotin e II

Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Autoriteti Rregullativ i Telekomunikimeve, Doganat e Kosovës, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, Instituti Albanologjik, Komisioni i Pavarur për Media, Policia e Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Trepça nën administrimin e AKP-së, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Prizrenit, Zyra e Auditorit Gjeneral, Zyra e Rregullatorit për Energjisë, Zyra e Rregullatorit të Ujit dhe Mbeturinave, Universiteti i Pejës, Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare.

Image

Image

Image

Image