Kompanisë “Kodra” i merren 45 hektarë tokë që i ishin dhënë në shfrytëzim për 40 vjet

Ekonomia March 03, 2018 - 10:03

Kuvendi i Drenasit ka vendosur t’i rikthejë 45 hektarë tokë të cilët Komuna e Drenasit, që udhëhiqej nga Nexhat Demaku, me një vendin gjithashtu të KK-së në vitin 2015 ia kishte dhënë në shfrytëzim për 45 vjet kompanisë “Kodra” (Gurthyes), pronar i së cilës është Enver Zogaj, vëllai i ish-deputetit Bislim Zogaj. Ky i fundit ka qenë kundërshtari më i madh i kandidimit të Lladrovcit për kryetar të Drenasit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kanë kaluar vetëm tre vjet qëkur Kuvendi i Drenasit kishte marrë vendim që 40 hektarë tokë të komunës në Sankovc t’ia japë në shfrytëzim kompanisë “Kodra” për 40 vjet. Kjo kompani, pronar i së cilës është Enver Zogaj, vëllai i ish-deputetit Bislim Zogaj, shfrytëzonte edhe një hapësirë tjetër po në të njëjtin vend, e cila eksploatonte gurë, që i shiteshin “Bechtel&Enka”-s për ndërtimin e autostradës. Prona i është kthyer Komunës me arsyetimin se kompania “Kodra” nuk i ka përmbushur kushtet e kontratës. Komuna e Drenasit nuk i ka bërë të ditura detajet që kanë çuar deri te shfuqizimi i vendimit të mëparshëm të Kuvendit për dhënie në shfrytëzim të 45 hektarëve tokë kompanisë “Kodra”, respektivisht që Komuna t’i kthejë ato.

“Zëri” është përpjekur të kontaktojë me dikë nga kompania “Kodra” e edhe me ish-deputetin Bislim Zogaj, por telefoni i tij ka qenë i paqasshëm. Ndryshe, tashmë ish-deputeti Bislim Zogaj ishte kundërshtari më i madh që PDK-ja ta kandidojë Ramiz Lladrovcin për kryetar të Komunës së Drenasit. Madje kishte fjalë se njëri ndër kandidatët më seriozë për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e fundi lokale ishe pikërisht Bislim Zogaj, por kryetari i PDK-së ia kishte dhënë besimin Ramiz Lladrovcit. Zogaj ishte zotuar se nuk do ta mbështesë Lladrovcin për kryetar të Drenasit.

Në njërën nga mbledhjet e Kuvendit të Drenasit në vitin 2015 këshilltarët komunalë të opozitës kishin kundërshtuar vendimet që kësaj kompanie t’i jepen në shfrytëzim 45 hektarë tokë për 40 vjet, pasi që kishin vlerësuar se Komuna i mundëson kompanisë përfitime qindra mijëra euroshe në mënyrë ligjore, sepse, sipas tyre, me “gurin që merr në këtë pronë komunale bën biznes me konzorciumin “Bechtel&Enka”. Kjo kompani, sipas LVV-së e afërt me zyrtarë të lartë të PDK-së, pati marrë gjithë këtë pronë në shfrytëzim për 40 vjetët e ardhshme në mënyrë joligjore. “Qindra mija euro janë përfitimet e kompanisë “Kodra”, e cila ka eskploatuar resurse publike me vetëm një pëlqim të Komunës së Drenasit në kundërshtim me të gjitha ligjet, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme tokës dhe resurseve komunale”, thonë në LVV.

Në Kuvendin e Drenasit partitë opozitare shpjegojnë se resurset publike janë eksploatuar nga kompania “Kodra” me pëlqimin që ka dhënë Komuna e Drenasit, gjegjësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik. “Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik më 31.05.2012 ia ka lëshuar një pëlqim të kundërligjshëm kompanisë “Kodra” SHPK me seli në Drenas, duke dëmtuar kështu pronën komunale dhe interesin e përgjithshëm. Pëlqimi i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik, që nuk bazohet dhe që bie ndesh me Statutin e Komunës, i ka mundësuar kompanisë “Kodra” që të marrë një pëlqim mjedisor, më 6 qershor 2012, nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor. Dy ditë më vonë, më 8 qershor 2012, Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale ka aprovuar licencën për shfrytëzimin e zhavorrit me sipërfaqe prej mbi 796 mijë metrash katrorë (80 hektarë tokë) e me kohëzgjatje prej 25 korrikut 2012 e deri më 14 korrik 2019”, thotë Sokol Bylykbashi, asamblist i LVV-së në Kuvendin e Drenasit.

Për këtë veprim të krerëve të Komunës së Drenasit lëvizja “Vetëvendosje” në Drenas pati ushtruar kallëzim penal në Gjykatën Themelore të Prishtinës për Komunën e Drenasit, përkatësisht për Drejtorinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Ekonomik me pëlqimin e së cilës kompania “Kodra” ka përfituar 40 hektarë tokë komunale në vendin e quajtur “Golesh” në Sankofc të Drenasit.

Ndryshe, në kohën kur kompanisë “Kodra” i ishin dhënë në shfrytëzim 40 hektarë tokë  për 40 vjet (5 hektarë tokë i janë dhënë më herët) ishin edhe disa kompani të tjera të cilat kishin përfituar sipërfaqe të ndryshme të tokës komunale në komunën e Drenasit për ushtrimin e bizneseve të llojeve të ndryshme. Komisioni Komunal për dhënie të tokës në shfrytëzim kishte propozuar që bizneseve që kishin konkurruar t’u japë tokë komunale me kushte të caktuara e njëri nga kushtet ishte punësimi. Kompania “Kodra” kishte premtuar se që në fillim do t’i punësojë të paktën 60 punëtorë dhe se ky numër do të rritej nga viti në vit.