Dilema e dizelit në Gjermani - automjetet drejt Shqipërisë e Kosovës

Ekonomia March 02, 2018 - 09:28

Vendimi i fundit i Gjykatës Federale Administrative të Gjermanisë që u lejon bashkive të qyteteve ndalimin e hyrjes në qendrat e qyteteve të automjeteve me motorë dizel më të vjetër, me qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit ka sjellë një valë reagimesh në Gjermani.

Ndalimi do të prekte jo vetëm personat privatë që kanë automjete dizel të vjetër, por edhe zanatçinjtë gjermanë që përdorin më së shumti automjetet dizel. Shumë kërkojnë që përmirësimin e motorëve ta marrë përsipër vetë industria e automjeteve, edhe shoqata gjermane e zanatçinjve.

Edhe politika ka reaguar. Socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe E Majta kanë kërkuar që motorët e vjetër dizel të pajisen me aparatet që përmirësojnë emetimin e gazrave ndotës, dhe koston për këtë ta përballojë industria e automjeteve. Po qe se koncernet e automjeteve kanë ndershmëri dhe mendojnë me perspektivë duhet që ata t’i modifikojnë motorët e vjetër vullnetarisht tha kreu i grupit parlamentar të Të Gjelbërve, Anton Hofreiter të enjten (01.03).

“Ata mund ta bëjnë këtë”, tha ai duke pasur parasysh fitimet miliardëshe të kësaj industrie.

Hofreiter e quajti skandaloze qëndrimin e qeverisë gjermane që e ka lejuar deri më tani refuzimin e koncerneve. Ndërsa politikani socialdemokrat, përgjegjës për politikën e transportit, Matthias Stein u shpreh se industria nuk duhet t’ikë përgjegjësisë për modifikimin e motorëve dizel.

Kristiansocialët gjermanë (CSU) janë kundër ndalimeve të automjeteve. Ministri bavarez për Transportin e Punët e Brendshme, Joachim Herrmann u shpreh se “ne jemi kundër që t’u ndalohet shoferëve të automjeteve dizel përdorimi i tyre”.

Ai apeloi edhe ndaj koncerneve të huaja të automjeteve në Gjermani të japin kontributin e tyre. Ministrja gjermane e Mjedisit, Barbara Hendricks është shprehur se ndalimi i automjeteve dizel do të prekë vetëm disa qytete. “Ai do të jetë në masë të gjerë i mënjanueshëm”, tha Hendricks në Berlin.

Në 70 qytete gjermane tejkalohen vlerat e gazrave të oksidit të azotit (NOx), në 50 prej tyre vetëm në masë të vogël. 20 qytete janë më problematikë, sipas ministres gjermane dhe aty qeveria po përpiqet të marrë masa përmes modifikimit të autobuësve urbanë apo përmirësimin e trafikut.

Rënie e menjëhershme e çmimeve – shitje drejt Shqipërisë e Kosovës 

Debati për ndalimin e motorëve dizel ka bërë që të ketë rënie të madhe të çmimeve të automjeteve dizel. Shumë vetë nuk mund ta shesin më automjetin me çmimin e shpresuar. Ajo që dihet është se motori dizel krahasuar me motorin me benzinë emeton më pak dioksid karbonik, por shumë më tepër grimca të oksidit të azotit, që kategorizohen si shumë të rrezikshme për shëndetin.

Ndërkohë shumë më tepër automjete dizel po shiten nga Gjermania në vendet europianolindore. Në vitin 2017 ka pasur një rritje dukshëm më të madhe krahasuar me 2016-n, rreth 233.000 automjete dizel janë shitur jashtë Gjermanisë, sidomos në Lindjen europiane, bën të ditur revista gjermane “Java Ekonomike” të enjten (01.03).

Rritje të madhe ka shënuar shitja e automjeteve dizel drejt Shqipërisë, Kosovës, Rumanisë, Slovakisë etj, thekson revista ekonomike gjermane. /DW/