KEK: Kemi finalizuar mbi 74 kontrata dhe janë kompensuar 14 pronarë

Ekonomia January 14, 2018 - 17:20

Procesi i nënshkrimit të kontratave/marrëveshjeve me banorët e fshatrave Hade dhe Shipitullë është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë dhe sipas procedurave të parapara ligjore.

Kështu bënë të ditur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), raporton “Zeri.info”.

KEK-u, njofton banorët e kësaj zone se gjithçka është duke shkruar sipas dinamikës së paraparë.

Përmes një njoftimi për media, KEK-u, bënë të ditur se janë të njoftuar gjithë akterët e këtij procesi, ka bërë ndarjen e lagjeve me prioritet dhe se ndarja është bërë në tri zona, përcjell “Zeri.info”

“Zona e parë me prioritet ku edhe gjenden shtëpitë e para në afërsi të mihjes, ka  gjithsejtë 99 shtëpi, nga to për 74 palujtshmëri tashmë janë finalizuar kontratat dhe janë të gatshme për nënshkrim të noteri sapo të kompletohet dokumentacioni i nevojshëm nga ana e banorëve. Gjithashtu, vlen të theksohet se KEK-u deri më tani i ka finalizuar edhe obligimet financiare për shpronësimin e 14 pronave të banorëve. Po ashtu, edhe 14 kontrata të tjera janë të finalizuara te noteri dhe transaksionet do të përfundojnë sapo të nënshkruhen nga ana e banorëve”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Sipas KEK-ut, pavarësisht se procesi është i komplikuar dhe nuk varet vetëm nga puna dhe dinamika e Korporatës, konsiderojnë se është duke shkuar në nivelin e kënaqshëm dhe në një afat rekord po synohet finalizimi i të gjitha kontratave.

Korporata edhe një herë i bënë thirrje banorëve që të rregullojnë të gjitha dokumentet dhe siç kërkohet me ligj të paraqiten të Noteri për të përfunduar të gjitha procedurat e shpronësimit.

“Korporata Energjetike e Kosovës, edhe një herë garanton të gjitha palët dhe veçanërisht banorët e këtyre zonave se po zbatohen të gjitha standardet më të larta ndërkombëtare për të përmbyllur procesin e zhvendosjes dhe siç është premtuar në një afat rekord janë duke u përmbush të gjitha obligimet të cilat janë në kompetencë të korporatës”, thuhet më tutje në njoftim, përcjell “Zeri.info”.

KEK-u po ashtu ka njoftuar të gjithë qytetarët se kjo Korporatë tashmë është stabilizuar në tërësi dhe po operon me të gjitha njësitë gjeneruese për të furnizuar qytetarët me energji elektrike.