Zhdoganimi elektronik rriti të hyrat e Doganës

Ekonomia January 07, 2018 - 20:00

Nga të gjitha pikat doganore që ka Kosova, përgjatë një viti është arritur mbledhja e mbi 1 miliardë eurove.

Dogana vazhdon të jetë institucioni që e mbushë më së shumti arkën e shtetit ndërsa shumë e përafërt me këtë vit, ka qenë edhe vitin e kaluar.

Dogana arrin të mbledhë tri taksa doganore.

“Taksën doganore prej 10 përqind në vlerë por kjo taksë ndikohet prej MSA-së dhe CEFTA-s, pastaj Akciza që është taksë specifike si dhe TVSH në lartësi prej 18 përqind”, ka thënë për Indeksonline, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Stavileci është pyetur se cilat mallra janë ato që janë konfiskuar më së shumti gjatë vitit 2017, por i njëjti ka thënë se kryesisht kanë qenë mallrat me Akcizë, duke mos specifikuar se çfarë ndodhë më pas me këto mallra të konfiskuara.

Ndër të tjerash duhet cekur se muajt me të hyrat më të larta në vend janë pikërisht muajt e verës kur edhe rritet numri i bashkatdhetarëve si dhe muaji dhjetor.

Gjatë këtyre muajve në vend shtohen vizitat si dhe të hyrat doganore.

Dogana e Kosovës këtë vit ka arritur të ketë një rritje të të hyrave prej 6.8 përqind apo 68 milionë euro më shumë, raporton Indeksonline.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se ndër sukseset më të mëdha përgjatë këtij viti ishte modernizimi dhe kalimi në zhdoganimin elektronik.

“Jemi dogana e parë në Ballkan që punon me sisteme të zhdoganimit elektronik”, ka shtuar Stavileci.

Duhet shtuar se në Kosovë janë pikërisht 18 pika doganore funksionale teksa misioni kryesor i Doganës së Kosovës vazhdon të jetë kontributi në çështjet ekonomike si dhe kontributi për sigurinë.