EPS-ja kërkon 12 milionë euro për energjinë e shpenzuar në veri

Ekonomia January 06, 2018 - 08:15

I ashtuquajtur “Elektrokosmet Sever”, në përpjekje për t’i mbledhur 12 milionë euro borxhe për energjinë elektrike të serbëve të veriut, ka kërkuar nga borxhlinjtë që faturat prej vitit 2012 e këtej t’i paguajnë menjëherë, ndërsa ato para vitit 2012 (nga viti 2009) t’i riprogramojnë. Sipas EPS-së, Serbia ka furnizuar me energji elektrike komunat veriore nga viti 2009 në vlerë prej 12 milionë eurosh, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Zoran Obradoviq, dispeçer kryesor në të ashtuquajturin “Elektrokosmet Server”, u ka bërë thirrje të gjithë borxhlinjve të energjisë elektrike në veri që t’i paguajnë faturat e rrymës, në të kundërtën ai është kërcënuar se do t’i shkyçë të gjithë nga rrjeti elektrik.

Obradoviq ka sqaruar se do të fillohet me grupin 04 të shpenzuesve të energjisë elektrike, në të cilin hyjnë zejtarët, dyqanet dhe ndërmarrjet private, shkruan tutje "Zëri".

Ndonëse Obradoviq në vërejtjen e tij nuk ka përmendur amvisëritë, në “Elektrokosmet Server” thonë se qytetarët duhet t’i paguajnë borxhet për rrymën që ua ka dërguar “Elektro Privreda Srbije – EPS” që nga viti 2009.

LEXO EDHE: Opozita nuk pret rezultate nga dialogu

Tani kur është aktuale dhe kur kanë dalë në shesh të dhënat se KEDS-i ua kanë faturuar qytetarëve të Republikës së Kosovës mbi 140 milionë euro borxhe të serbëve të veriut dhe për humbjet komerciale në veri, edhe operatori serb i energjisë elektrike në veri “Elektrodistribucija”, si pjesë e “Elektrokosmetit”, që udhëhiqet nga njerëz të “Elektro Privreda Srbije (EPS)”, do që t’i mbledhin borxhet e harxhimit të energjisë elektrike të të gjitha kategorive të shpenzuesve të energjisë në veri me arsyetimin se atë pjesë të Kosovës e kanë furnizuar me energji elektrike që nga viti 2009.

EPS-ja ka kërkuar nga qytetarët që t’i shlyejnë të gjitha borxhet prej dhjetorit të vitit 2012 e deri më tani, ndërsa pjesën tjetër të borxheve nga viti 2009 e deri në dhjetorin e vitit 2012 ta riprogramojnë.

Në operatorin “Elektrodistribucija” në veri të Mitrovicës kanë thënë se janë mbi 12 milionë euro borxhe, të cilat komunat veriore të Kosovës ia kanë borxh EPS-së, ndërkohë që shpenzuesit, si dhe borxhlinjtë më të mëdhenj, janë Policia e Kosovës në veri, “Trepça”, Burgu i Mitrovicës, si dhe ndërmarrjet publike, disa nga të cilat janë në menaxhim dhe pronë e Serbisë.

Në ndërmarrjen “Elektrodistribucija” në veri të Mitrovicës kanë thënë se Policia e Kosovës në veri ka borxh 4.6 milionë dinarë, rreth 5 milionë dinarë i ka borxh Gjykata në veri, ndërkaq Qendra e Paraburgimit ka borxh rreth 6 milionë dinarë. “Elektrokosmet”, si pjesë e “Elektro Privreda Srbije”, sipas menaxhuesve të “Elektrodistribucija – Elektrokosmet” në veri konsiderohet operator ilegal nga ana e Prishtinës.

“Ne me ato institucione kemi pasur disa takime, qëndrimi i tyre është se ne jemi firmë ilegale në Kosovë e Metohi, gjegjësisht nuk jemi të regjistruar dhe për këtë arsye ata nuk pranojnë ta paguajnë energjinë elektrike”, ka sqaruar kohë me parë Sllobodan Vukadinoviq, drejtor i “Elektrodistribucija – Elektrokosmet” në veri të Mitrovicës.

Ai ka shtuar sa ka premtime që institucionet, siç janë Policia e Kosovës, Qendra e Paraburgimit dhe “Trepça”, t’i pranojnë borxhet dhe t’i paguajnë. Sipas Vukadinoviq, premtimet kanë qenë që borxhet të paguhen pas marrëveshjeve për energjinë elektrike që arrihen në bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Përveç institucioneve kosovare në veri të Mitrovicës, ka edhe ndërmarrje dhe institucione që janë në buxhetin e Serbisë dhe të cilat gjithashtu kanë borxhe të mëdha për energji elektrike. Në mesin e borxhlinjve është edhe ndërmarrja “Ujësjellësi Ibar” në veri të Mitrovicës.

Ndërkaq drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka përsëritur disa herë se “rryma në veri nuk vjen nga qielli” dhe se ajo duhet të paguhet. “Sipas marrëveshjes formohet kompania për prodhimin, distribuimin dhe furnizimin me energji elektrike, e cila do të jetë në tërësi nën kontrollin e bashkësisë serbe në Kosovë. Do të shohim se kush do të jetë themeluesi i kësaj kompanie, “Elektro Privreda Srbije” apo Bashkësia e Komunave Serbe. Kjo çështje është pjesë e marrëveshjeve e ajo çka është me rëndësi është se sistemi energjetik serb në mjediset me popullatë serbe të jetë në duar të serbëve”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Ministria për Tregti dhe Industri e Republikës së Kosovës ka refuzuar t’i regjistrojë dy kompanitë energjetike serbe “EPS trgovina” dhe “Elektrosever”, të cilën serbët e quajnë “Elektrokosmet Sever” në veri të Kosovës me arsyetimin se “aplikacionet nuk janë komplete, si dhe nuk janë të harmonizuara ma ligjet e Kosovës dhe me marrëveshjen e Brukselit”, por ky arsyetim nuk i ka pëlqyer Qeverisë së Serbisë dhe ka kërkuar që Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Operatorëve Ekonomikë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë t’i rishqyrtojë aplikacionet e dorëzuara, siç kanë thënë më 26 prill. Gjithashtu thuhet, ndërsa e pranon edhe vetë Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, se Qeveria e Serbisë në aplikacionet e dorëzuara për regjistrimin ka insistuar në emërtimin antikushtetues të Kosovës – “Kosovo i Metohija”.

E në “Elektrodistribucija – Elektrokosmet” në veri të Mitrovicës kanë deklaruar se “Elektro Privreda Srbije” e furnizon veriun e Kosovës me energji elektrike që nga viti 2009 dhe deri më tani ka dërguar rrymë në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh. Sipas tyre, pjesa veriore është lidhur në EPS nëpërmes furnizuesit Kralevë - Rashkë - Novi Pazar -Vallq.