Tahiri në Skoçne, premton rrugë e rrymë

Ekonomia January 05, 2018 - 08:14

Kryetari i ri i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ditën e fundit të vitit 2017 e ka kaluar në Skoçne të Vushtrrisë, një fshat i thellë malor, i cili nuk ka as rrugë e as energji elektrike.

Reportazhi i “Zërit” nga ky fshat me vetëm një shtëpi dhe me një familje që ka kthyer jetën në fshat, i botuar në numrin special të gazetës, ka nxitur reagimin e shpejt të kryetarit të ri të Vushtrrisë dhe të bashkëpunëtorëve të tij, të cilët kanë dëshiruar që nga afër ta shohin gjendjen në të cilën ndodhet fshati dhe banori i vetëm i tij Rasim Lahu.

Vizita e kryetarit Tahiri në fshatin e vetëm të Vushtrrisë, në të cilin nuk ka frymuar njeri që nga paslufta, përveç Rasim Lahut, njeriut të vetëm që ia ka kthyer jetën Skoçnes, ka sjell në fshat edhe ish-banorë të tjerë, të cilët i kanë premtuar kryetarit të ri se do të ktheheshin në fshat sikur të kishte rrugë dhe rrjet elektrik. “Ka edhe shumë njerëz të tjerë që kanë lëshuar fshatin e të cilët do të ktheheshin sikur të kishte rrugë dhe rrymë. Kështu si është fshati njerëzit nuk po mund të kthehen, megjithatë ka të tillë që kanë shprehur vullnetin për t’u kthyer.

Në fshat janë edhe dy fermerë, njëri që mban lopë dhe tjetri dele e dhi. Ata i kanë shtëpitë në Vushtrri, por detyrohen natë e ditë të jenë në ferma. Këtu jeta është e rendë, sepse nuk ka kushte elementare për jetesë. Kushtet për blegtori janë ideale, por ata dy fermerët e kanë shumë të vështirë që qumështin ta dërgojnë në treg për shkak të rrugës, ndërsa qumështorët nuk dëshirojnë që të vijnë në Skoçne për ta grumbulluar qumështin, sepse nuk iu del llogaria mirë.

Për ujë të pijes nuk ka asnjë problem, por rruga dhe rryma janë problemet me të mëdha me të cilat përballemi”, tha Rasim Lahu, derisa kryetari Tahiri përcillte me vëmendje të madhe entuziazmin e Lahut dhe të dy fermerëve, Basri e Tasim Kosumi, për ta ringjallur fshatin. (Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri si dhe në versionin Online me parapagim në online.zeri.info)