Liqeni i vdekjes

Ekonomia August 01, 2017 - 08:58

Mungesa e zhytësve në Liqenin e Batllavës po paraqet rrezik serioz për qytetarët të cilët e frekuentojnë atë, sidomos gjatë temperaturave të larta. Zyrtarë të Komunës së Podujevës thonë se në këtë liqen nuk ka zhytës, pasi ai është akumulues dhe nuk është nën menaxhim të tyre. E në anën tjetër, opozita në këtë Komunë akuzon pushtetin për neglizhencë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Një vajzë 12-vjeçare ka humbur jetën të dielën derisa ishte duke u freskuar në Liqenin e Batllavës. Mungesa e zhytësve në këtë liqen po rrezikon jetën e qytetarëve të cilët e frekuentojnë atë, sidomos gjatë ditëve të fundit si pasojë e temperaturave të larta që kanë kapluar vendin tonë.

Zyrtarë të Komunës së Podujevës thonë se në këtë liqen nuk ka zhytës pasi liqeni është vetëm akumulues e jo turistik e që, sipas tyre, nuk është nën menaxhim të Komunës së Podujevës.

Por në anën tjetër, përfaqësues të partive opozitare akuzojnë Komunën e Avni Ajeti, deputet i AAK-së në Asamblenë Komunale të Podujevës, thotë së çdo vit këtu humbin jetën dy ose tre persona. Ai fajtor për këtë gjendje e ka bërë pushtetin komunal dhe qendror e që neglizhenca e tyre po u kushton qytetarëve me jetë.

“Ne në Kuvendin Komunal e kemi ngritur këtë çështje, që të ndahen mjete nga Komuna dhe të trajnohen disa persona për zhytje ose në të kundërtën të ndalohet larja në liqen. Por asnjëherë nuk kemi marrë një përgjigje konkrete nga Komuna”.

Edhe Flakron Gashi, nga Dega e PDK-së, thotë se përderisa ky liqen shfrytëzohet për plazh atëherë duhet të ketë edhe zhytës apo ekipe të shpëtimit. Ai më tutje ka shtuar se institucionet përkatëse duhet të vendosin përfundimisht se a lejohet apo jo të bëhet plazh në këtë pjesë, në mënyrë që të ketë edhe siguri për qytetarët, të cilët e vizitojnë. “Pasi që janë hapësirat e përcaktuara për plazh duhet të jenë edhe personat e shpëtimit në to. Komuna e Podujevës asnjëherë nuk ka pasur një iniciativë për të dërguar një shpëtimtar në atë pjesë. Përderisa liqeni është në kuadër të Komunës së Podujevës dhe shfrytëzohet edhe si pikë për mundësi të vizitave turistike, atëherë ajo është dashur të ndërmarrë një iniciativë së bashku edhe me institucionet qendrore të ketë në çdo plazh që shfrytëzohet për rekreacion veror të ketë edhe individë që kujdesen për sigurinë e qytetarëve”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Por në anën tjetër Nazmi Elezi, zyrtar për Informim në Komunën e Podujevës, ka thënë se ky liqen është akumulues dhe jo turistik, e si rrjedhojë nuk është nën kompetencë të Komunës të dërgojë një ekip shpëtimi, pasi liqeni i përket një kompanie, e cila shfrytëzon ujin e tij.  “Komuna e Podujevës ka iniciuar një ekip të Policisë dhe të zjarrfikësve në mënyrë që të kontrollojë gjendjen gjatë ditëve të verës. Liqeni i Batllavës është akumulues dhe jo turistik dhe nuk është nën menaxhimin e Komunës, si rrjedhojë as nuk jemi kompetentë për të dërguar një person shpëtimi apo zhytës gjatë sezonit të verës. Liqeni është nën pronën e KEK-ut”, ka thënë ai.

Zhytësi Ismail Kosumi thotë se që nga viti 2000 u ka bërë kërkesë komunave që t’u ndihmojë falas për trajnimin e ekipeve të shpëtimit në zhytje, por që kërkesa e tij asnjëherë deri më sot nuk ka marrë përgjigje.