Neonazisti gjerman dyshohet për zjarrin vdekjeprurës të vitit 1970 në një shtëpi pleqsh hebreje
Hetuesit gjermanë besojnë se kanë identifikuar një zjarrvënës që i vuri flakën një qendre komunitare hebraike në Mynih në vitin 1970, duke vrarë shtatë persona, ka raportuar BBC.
Për dekada të tëra, identiteti i burrit mbeti mister. Por prokurorët e Mynihut tani besojnë se ai ishte një neonazist i vetmuar 25-vjeçar me mendime të njohura antisemite.
Shtatë të vrarët ishin të gjithë të mbijetuar të Holokaustit të moshës 59 deri në 71 vjeç. 15 persona të tjerë u plagosën.
Zbulimet e prokurorëve vijnë shumë vonë për të siguruar drejtësi për viktimat. I dyshuari, i identifikuar nga revista Der Spiegel si Bernd V, vdiq në vitin 2020.
Rreth orës 20:40 më 13 shkurt 1970, prokurorët thonë se vrasësi derdhi benzinë ënë shkallët prej druri në një azil pleqsh të vendosur brenda ndërtesës së komunitetit hebraik në Reichenbachstrasse, dhe më pas i vuri flakën. Zjarri u përhap shpejt në katin e sipërm të ndërtesës.
Ndërsa shumë arritën të shpëtonin në çati ose u shpëtuan nga zjarrfikësit, katër nga viktimat vdiqën në shkallë dhe një tjetër vdiq pasi u hodh nga një dritare.
Prokurorët tani besojnë se kanë “baza bindëse që tregojnë se i dyshuari (i ndjerë) është autori i krimit”, bazuar në “informacion të besueshëm” nga një grua, e cila doli hapur vitin e kaluar pas vdekjes së një të afërmi të ngushtë që e njihte mirë burrin.
Sipas prokurorëve, vrasësi i dyshuar u dëgjua të pretendonte në afërsi të ndërtesës së komunitetit se “hebrenjtë kishin gjithçka” dhe se donte t’u “vënte flakën”. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, ndërtesa u përfshi nga flakët.