Gruaja më e re që ka ngjitur 14 majat më të larta në botë ka një mesazh
Alpinistja britanike që vendosi rekordin si gruaja më e re që ka ngjitur të 14-të malet më të larta në botë deklaroi se alpinistët e papërvojë nuk duhet të lejohen të ngjiten në majat më të larta sepse rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve.
Adriana Brownlee, 23 vjeç, u ngjit në malin Everest në moshën 20 vjeç në vitin 2021 dhe në fillim të këtij muaji u ngjit në malin Shishapangma në Kinë, duke përfunduar përpjekjen e saj për të ngjitur të gjitha 14 majat mbi 8,000 metra të larta.
Ajo tha se ka parë alpinistë të shumtë të cilëve u mungon trajnimi në aftësitë bazë dhe në përballimin e shpateve të paparashikueshme të majave të larta.
“Kam parë shumë njerëz në male që në të vërtetë nuk duhet të ishin atje”, tha Brownlee.
Sipas britanikes, autoritetet duhet të sigurohen që alpinistët që përpiqen të ngjiten në majat më të larta të kenë ngjitur të paktën male më të vogla për t’u siguruar që mund të përballojnë lartësinë, shkruan AP, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se Brownlee tani ndodhet në Nepal së bashku me alpinistë të tjerë nga Tibeti, përfshirë 18-vjeçarin Nima Rinji Sherpa, i cili është personi më i ri që ka ngjitur 14 majat.
Përgjithësisht nuk ka rregulla përveç kufizimeve të moshës për njerëzit që duan të ngjiten në male për sa kohë që janë në gjendje të paguajnë tarifat e lejes.
Brownlee tha se ishte vetëm 8 vjeç kur filloi të ëndërronte të bëhej një alpiniste si babai i saj, për të cilin tha se ishte frymëzimi i saj kryesor.
Ajo tani dëshiron të ngjitet në majat e pakapshme në Nepal dhe të eksplorojë malet në pjesë të tjera të botës.
Ndryshe, Brownlee dhe partneri i saj kanë hapur një kompani alpinistike në Nepal duke u fokusuar në ndihmën e klientëve që janë të aftë dhe me përvojë të mjaftueshme për të përballuar gjendjen e vështirë të maleve.
Ajo tha se shpreson të frymëzojë të rinj të tjerë për të ndjekur ëndrrat e tyre.
“Për mua mesazhi është se në jetë ju mund të merrni çdo rrugë që dëshironi për të arritur qëllimin tuaj”, tha Brownlee. /telegrafi