Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 - 1981 (X)

Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 - 1981 (X)

Dosier March 01, 2021 - 08:28

Demonstratat e vitit 1981 nuk kishin karakter kundërrevolucionar

Prof. dr. Agim Zogaj

Çfarë mund të na thoni për karakterin e demonstratave të vitit 1981, a ishit në pritje të tyre apo...?

Çfarë thanë Llazar Kolishevski dhe Petar Stamboliqi?

Nimani: Edhe sot mendoj se ka qenë qëndrimi ynë i drejtë se demonstratat e vitit 1981 në Kosovë në ditët e para kanë pasur karakter social, kurse më tej ato morën karakter kundër rendit shoqëror dhe kundër Serbisë, gjë e cila ishte edhe e pritur. Kur është fjala për karakterin e demonstratave duhet të theksoj se në mbledhjen e parë të rendit shoqëror të Jugosllavisë, ku kam marrë pjesë edhe unë si kryetar i Kosovës, në materialin që u paraqit në mbledhje tekstualisht ishte shkruar fjala kundërrevolucion dhe ishte e qartë se demonstratave qëllimisht dhe padrejtësisht u ishte dhënë karakteri kundërrevolucionar. Mbledhjen e kishte kryesuar maqedonasi Llazar Kolishevski, kuadër maqedonas në Kryesinë e Jugosllavisë), sepse Vladimir Bakariqi (kuadër kroat në Kryesinë jugosllave, ishte i sëmurë). Më kujtohet fare qartë se Llazar Kolishevski dhe Petar Stamboliqi, anëtarë në Kryesinë e Jugosllave, gjatë diskutimit të tyre për ta mbrojtur kualifikimin e karakterit të demonstratave si kundërrevolucion më sulmuan politikisht, sepse në atë takim, me të drejtë, unë kundërshtova një kualifikim të tillë, krejtësisht tendencioz. Kualifikimin për karakterin e demonstratave të vitit1981 si kundërrevolucion nuk e kishim pranuar as në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Kosovës dhe Kryesisë së LK të Kosovës, as në ndonjë forum tjetër politik të Kosovës, por më pastaj, gjithnjë nën trysninë e Serbisë dhe të aleatëve të saj në Federatën jugosllave, kualifikimi i demonstratave si kundërrevolucionare u zyrtarizua në dokumentet politike të kohës. Në fakt, në materialin politik, për të cilin po flas, për mbledhjen e sipërpërmendur kishte ngelur i shkruar cilësimi, vlerësimi kundërrevolucion, ndërkohë që ne në Kosovë vazhdonim të mbronim qëndrimin politik se në fillim, sidomos më 11 mars e 26 mars 1981, demonstratat kishin pasur karakter social, ndërkohë që më pastaj ato kanë qenë kundër rendit shoqëror të sistemit politik.

Në vlerësimet tona në Kosovë në nivel të strukturave politike e kemi shtuar vlerësimin për karakterin e demonstratave se nuk ka pasur kundërrevolucion, nuk kanë ndodhur ngjarje, veprime kundërrevolucionare. Ai qëndrim yni i ri politik, i udhëheqjes së atëhershme të Kosovës, ka qenë i bazuar në faktin se gjatë demonstratave asnjë funksion i shtetit nuk është cenuar dhe gjithçka ka funksionuar nën udhëheqjen e të dy kryesive të Kosovës, Kryesisë së LK-së të Kosovë dhe Kryesisë së Kosovës. Ne kemi thënë se po të ishte prishur rendi shoqëror - kushtetues, pra sikur të kishte kundërrevolucion, siç pretendonte Serbia dhe niveli federativ jugosllav, atëherë në rastin e tillë do të ishte përdorur forca e ushtrisë për ta ruajtur rendin shoqëror, me një fjalë për ta zmbrapsur kundërrevolucionin. Në rastin e demonstratave të vitit 1981 ushtria vetëm ka siguruar disa institucione me rëndësi vitale dhe ka demonstruar forcën e saj me nxjerrjen e tankeve në rrugë për të parandaluar shpërthimin më të madh të demonstratave.

Ju lutemi, na jepni më konkretisht detaje të këtyre vendimeve dhe situatave politike?

Çfarë tha Mahmut Bakalli?

Nimani: Pas mbledhjes së Kryesisë jugosllave, Kryesisë së Serbisë dhe pas mbledhjes së Komitetit Krahinor të LK-së të Kosovës, e kemi mbajtur mbledhjen e Kryesisë së LK-së të Kosovës. Në atë mbledhje Mahmut Bakalli, në cilësi të kryetarit të LK-së të Kosovës, u paraqit me fjalë rasti lidhur me ngjarjet e vitit 1981, sepse jorrallë e përdornim edhe shprehjen ngjarjet e vitit 1981 në vend të demonstratave. Bakalli e shtroi çështjen nëse kemi ose jo elemente të reja për ta rishikuar ose jo vlerësimin politik për demonstratat e vitit 1981. Sigurisht, ai aludonte në vlerësimin e Kryesisë jugosllave dhe të Kryesisë së Partisë jugosllave lidhur me demonstratat në Kosovë. Në lidhje me këtë kishte kundërshtime të hapura dhe veçmas u jepte zjarr Dushan Ristiqi, asokohe kryetar i Kuvendit të Kosovës, një nacionalist serb, i cili, siç dëshmoi historia, pas vitit 1981, por edhe pas çlirimit të Kosovës – 1999, ishte në bashkëpunim dhe në bashkëveprim shovinist me forcat nacionaliste, antishqiptare në Serbi dhe në Kosovë. Ai ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me grupet nacionaliste të serbëve dhe malazezëve të Fushë-Kosovës, që në vitet 1987, 1988, 1989 u hodhën në luftimin e autonomisë së Kosovës. Pas diskutimeve shumë të rënda ne si udhëheqje e Kosovës, pra në të njëjtën mbledhje të Kryesisë së LK-së të Kosovës, ngelëm në të njëjtat kualifikime për karakterin e demonstratave të vitit 1981 se ato kishin karakter social. Më kujtohet kur Bakalli e përfundoi fjalën e tij, duke thënë se: “Po të kishte kryengritje, kundërrevolucion, atëherë edhe ushtria, policia dhe mbrojtja territoriale do të ndërmerrnin aksion ushtarak për shuarjen e kryengritjes... gjë që nuk ka ndodhur...”. Duke e thënë kushtimisht, Kutia e Pandorës ishte hapur dhe tani Serbisë i kishte ardhur dita për t’u vërsulur mbi Kosovën, kuptohet për ta kundërshtuar, minimizuar dhe suprimuar autonominë tonë. Vetëm po të bëhen analiza, studime të tëra për arrogancën, gjuhën shoviniste, shpifëse, antishqiptare që e përmbante shtypi serb i asaj kohe, mund të shihet, kuptohet, se ishte e pamundur të ndalej agresioni politik serb ndaj Kosovës së vetmuar. Në të njëjtën kohë u vunë në veprim të pamëshirshëm shovinist - antishqiptar të gjithë aleatët historikë të Serbisë. Pastaj menjëherë filluan presionet e fuqishme për shkarkime dhe dorëheqje të udhëheqësve të institucioneve politike, arsimore, akademike, kulturore, mediale të Kosovës, që ndryshe njihej me shprehjen – cilësimin: diferencimi ideopolitik.

Presioni i Serbisë - Jugosllavisë ishte shumë agresiv dhe kërcënues, madje edhe për t’u futur me forca speciale policore, gjë e cila ndodhi

Nimani: Ndërkohë, ardhja e anëtarit të Kryesisë së LKJ-së në Kosovë, Branko Mikuliq (kuadër serb i Bosnjë e Hercegovinës), gjoja për të ndihmuar udhëheqjen e Kosovës, është bërë pa konsultime paraprake me ne. Ne po ashtu kemi kundërshtuar që Serbia, në ato ditë të vështira, të na dërgojë për “ndihmë” një kuadër të saj. Po ashtu janë faktet, dëshmitë historike se ne si udhëheqje e Kosovës e kemi kundërshtuar kërkesën ultimative të Serbisë për t’i futur në Kosovë forcat speciale. Ne këtë ia kemi thënë direkt Franjo Herleviqit dhe sekretarit të atëhershëm republikan të punëve të brendshme të Serbisë. Njësitet speciale të Serbisë kishin qenë të vendosura në Kurshumli dhe në vendet afër kufirit me Kosovë. Më pastaj, natyrisht me vendim të Kryesisë së Jugosllavisë, pa asnjë koordinim me ne, Kryesia e Jugosllavisë ka marrë qëndrim për t’i dërguar në Kosovë njësitet speciale federative, të cilat dihet se me sa brutalitet kanë ndërhyrë në konviktet e studentëve në Prishtinë dhe jo vetëm aty. Nga ato çaste ne si udhëheqje e Kosovës thuajse kishim filluar ta humbnim kontrollin mbi zhvillimet në Kosovë. Sulmet, anatenimet, denoncimet politike ndaj udhëheqjes të Kosovës, rinisë së Kosovës, studentëve të Kosovës, jo vetëm ndaj organizatorëve të demonstratave, ishin shtrirë, drejtuar nga të gjitha nivelet dhe instancat serbe - jugosllave. Filluan arrestimet, burgosjet, dënimet, ndërkohë që në rrugët e qyteteve dhe vendbanimeve të Kosovës kishte pasur demonstrues, qytetarë shqiptarë të vrarë.

Më kujtohet fare mirë se në mbledhjen e Lidhjes së Luftëtarëve të Kosovës nacionalisti Pavle Joviçeviq, i udhëzuar nga Llazar Kolishevski, Petar Stamboliqi dhe pas bisedës me Drazha Markoviqin, na akuzoi rëndë neve udhëheqjen e Kosovës, kuadrot shqiptare, si fajtorë për gjendjen e krijuar në Kosovë. Fillimisht pra, nën trysninë e Serbisë dhe të nivelit federativ jugosllav, shkarkohet Pajazit Nushi, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, pastaj Ymer Jaka, ministër i Arsimit, ministri i Brendshëm i Kosovës Mustafa Sefedini, ndërkohë që Mahmut Bakalli dha dorëheqje nga posti i kryetarit të LK-së të Kosovës (në maj 1981 ai u përjashtua nga Komiteti Krahinor i LK-së të Kosovës). Më pas, fuqishëm, nën presionin brutal të politikës serbomadhe, vazhduan shkarkimet, dorëheqjet nga pozitat udhëheqëse të kuadrove shqiptare në media, në kulturë, arsim (u shkarkua rektori i UP-së Gazmend Zajmi, drejtori i “Rilindjes” Rexhep Zogaj, Fehmi Agani, i cili u largua nga procesi i mësimit, pastaj Ali Hadri, i cili u shkarkua nga pozita e drejtorit të Institutit të Historisë e shumë të tjerë...). Unë si kryetar i Kosovës në verën e vitit 1981, më 17 korrik, duke mos pasur asnjë zgjidhje dhe duke u vënë pamëshirshëm në shënjestër të sulmeve, akuzave politike të Serbisë, sikur shumë bashkëpunëtorë të mi, u detyrova të jepja dorëheqje.

 

    - Fund -