Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 – 1981 (V)
Vazhdimisht nën kurthet e Serbisë
Prof. dr. Agim Zogaj
Procesi i Prizrenit (1955-1956) ishte njëri prej proceseve më të rënda kundër shqiptarëve. Ju lutem, në kontekstin kohor, si e keni përjetuar ju atë proces?
Procesin e Prizrenit e përgatiti UDBA
Nimani: Procesi i Prizrenit u mbajt në verën e vitit 1956, në kohën pas përfundimit të periudhës së njohur të Informbyrosë. Organeve të UDBA-s nuk u kishte mbetur më hapësirë për të përndjekur dhe për të burgosur njerëz, pra edhe shqiptarë, nën pretekstin e Informbyrosë. Prandaj, UDBA filloi të inskenojë, të kërkojë armiq brenda sistemit, gjoja se ishin kundër politikës dhe regjimit dhe se ne si udhëheqje e Kosovës po vepronim fshehurazi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në Kosovë UDBA ishte orientuar për t’i gjetur armiqtë e sistemit, të regjimit, brenda radhëve të PKJ-së, në radhë të parë dhe kryesisht te kuadrot shqiptare. Në fakt, procesi i Prizrenit ishte vazhdim i politikës antishqiptare, e cila si në rastin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, aksionit të mbledhjes së armëve, ishte e drejtuar kundër popullit shqiptar. Pra, Procesi i Prizrenit ishte edhe një aksion, edhe një projekt i politikës hakmarrëse serbomadhe, kundër popullit shqiptar dhe në rastin e Procesit të Prizrenit, me objektivin dhe qëllimin që t’i akuzonte udhëheqësit e Kosovës për nacionalizëm, separatizëm etj.
Me Procesin e Prizrenit politika serbomadhe ka pasur për qëllim që popullin shqiptar dhe udhëheqësit e atëhershëm shqiptarë, duke filluar nga Fadil Hoxha dhe ne të tjerët, të na paraqesë si armiq të Jugosllavisë dhe të Serbisë, si ideologë dhe prijës të separatizmit shqiptar. Madje Procesi i Prizrenit, si proces i montuar, për objektiv ka pasur që para opinionit serb dhe jugosllav ta paraqiste gjoja se në Kosovë, nën drejtimin e ne udhëheqësve shqiptarë, funksionon një rrjet i spiunazhit i lidhur me Shqipërinë. Ishte e qartë se ai proces i montuar ishte vazhdim i politikës së UDBA-s, i drejtuar nga Aleksandar Rankoviq, Kercuni, Qedomir Mijoviqi, Dushan Mugosha etj. Pra, qëllimi ishte qërimi i hesapeve me kuadrot shqiptare në tërësi, duke përfshirë fillimisht Nijazi Malokun, Shani Hoxhën, Ismet Shaqirin, Xhevdet Hamzën, Avdi Bakallin, Mehmet Hoxhën, Sedat Didën etj., por me qëllimin kryesor për të mbërritur deri te Fadil Hoxha, Veli Deva dhe unë. Personalisht unë për këtë proces të montuar dhe për akuzat e para ndaj Ismet Shaqirit, Xhevdet Hamzës, Avdi Bakallit dhe Mehmet Hoxhës kam dëgjuar në korrik të vitit 1956. Duhet thënë se Procesi i Prizrenit ka qenë i përgatitur në mënyrë të jashtëzakonshme nga UDBA dhe të gjithë këtë proces nga aspekti politik e kanë udhëhequr strukturat udhëheqëse politike të Serbisë nën udhëheqjen e antishqiptarit Aleksandar Rankoviq.
Është me rëndësi të theksohet se pas plenumit të Brioneve disa shokë serbë e malazias (Blazho Ljutica, Stanoje Aksiq, Katarina Patrnogiq, Milija Kovaçeviq) Procesin e Prizrenit e patën karakterizuar “Përpjekje për qërim hesapesh me kuadrot më eminente shqiptare.
Pas rënies së Aleksandar Rankoviqit, 1966, ka filluar procesi i rehabilitimit të të dënuarve, të të akuzuarve, të Procesit famëkeq të Prizrenit. Dhjetëra shqiptarë kanë vuajtur dënim me burg si rezultat i presionit, dhunës, trillimeve, të cilat UDB-ja i ka bërë, si dhe tërë inskenimin e proceseve gjyqësore, duke i detyruar njerëzit të pranojnë vepra të pabëra. Mirëpo, meqenëse pas rënies së Rankoviqit u kuptua se UDB-ja e kishte përgjuar edhe vetë Titon, kryetarin e Jugosllavisë, ishte shumë e qartë se me çfarë lehtësie UDB-ja, shovinistët serbë dhe malazezë kanë bërë veprime, kanë organizuar procese të inskenuara gjyqësore kundër shqiptarëve.
Regjistrimi i shqiptarëve në kombësinë turke...
Nimani: Në vitin 1955 KQ-ja e PKJ-së dërgoi në Kosovë një grup aktivistësh, rreth 15 persona, me në krye Moma Markoviqin e ku bënin pjesë edhe Mito Milkoviq, Krista Filipoviq, Mehmet Hoxha etj. Ardhja e tyre në Kosovë kishte për qëllim për të analizuar aktivitetin, veprimtarinë e organizatës së Partisë Komuniste, të Frontit dhe të pushtetit në Kosovë. Ai grup i aktivistëve, pasi kishte mbajtur një mbledhje informuese në Komitetin Krahinor, më pastaj kishte vizituar të gjitha rrethet në Kosovë. Ishte për t’u habitur se ai grup i punës, edhe pse qëndroi aq gjatë në Kosovë dhe zhvilloi aq shumë takime nëpër rrethe, para se të kthehej në Beograd nuk u takua me ne - udhëheqësit e Kosovës. Pra, kjo mënyrë e veprimit nuk ishte sipas standardeve të njohura dhe të pritura, ndërkohë që grupi i punës me në krye Moma Markoviqin kishte zhvilluar takime me Gjoko Pajkoviqin dhe me Predrag Ajtiqin. Dihet saktë se ai grup i punës në mbledhjen e parë të cilën e kishte mbajtur me t’u kthyer në Beograd, pra nën udhëheqjen e Moma Markoviqit (Moma Markoviq ishte vëllai i Drazha Markoviqit, një prej udhëheqësve më të lartë të Serbisë, i njohur hapur për antishqiptarizëm), për herë të parë e kishte përmendur çështjen e turqve në Kosovë, përkatësisht çështjen e regjistrimit të turqve në Kosovë.
Në atë mbledhje, përveç kuadrove të KQ-së së PKJ-së, kishte marrë pjesë edhe Gjoko Pajkoviq, asokohe kuadër i Kosovës, shef i OZN-së. Ndërsa askush tjetër nga Kosova nuk ishte thirrur të merrte pjesë në atë takim, pra as Mehmet Hoxha, i cili ishte ministër në qeverinë e Serbisë dhe ishte anëtar i grupit të punës. Pra, në këtë takim nuk jemi ftuar as unë, as Fadil Hoxha, as Ismet Shaqiri, të cilët ishim udhëheqësit e Kosovës, ndaj nuk e kemi ditur që në atë mbledhje ishte shtruar çështja e regjistrimit të turqve. Për më tepër, ne si udhëheqës të Kosovës nuk kishim kurrfarë informacioni për atë se çështja e regjistrimit të turqve ishte shtruar edhe në takimet, të cilat ky grup i punës i kishte mbajtur nëpër komitetet e rretheve anembanë Kosovës. Pra, për herë të parë çështjen e hapjes së regjistrimit të turqve e kemi dëgjuar kur Gjoko Pajkoviq, atëherë shef i OZNA-s për Kosovë, e kishte shtruar në mbledhjen e Byrosë së Komitetit Krahinor, me ç’rast na komunikoi vendimin e Komitetit Qendror. Por paraprakisht, para kësaj mbledhjeje, Gjoko Pajkoviq e kishte mbajtur një mbledhje me disa prej kuadrove serbe dhe malazeze, natyrisht pa e ditur ne shqiptarët. Në atë takim ai i kishte njoftuar ata me direktivën e Komitetit Qendror të Jugosllavisë dhe të Serbisë, duke shtruar edhe çështjen në ç’mënyrë duhet propaganduar çështjen e regjistrimit të turqve, si dhe çfarë masash duhet të ndërmerren për zbatimin e asaj direktive, me qëllim që sa më shumë shqiptarë të paraqiteshin për t’u regjistruar si turq. Fjala ishte pra, në radhë të parë për ata qytetarë, të cilët në fakt ishin shqiptarë, por që e flisnin gjuhën turke dhe që e përdornin në jetën e tyre të përditshme, mirëpo që veten e konsideronin si shqiptarë, sepse ishin të regjistruar shqiptarë. Realisht, ne kuadrot shqiptare u gjetëm të befasuar, të papërgatitur për një situatë të tillë, sepse deri atëherë ne e kemi ditur se në Kosovë nuk ka pakicë turke, përveç një numër i vogël i familjeve nëpër qytete, që ishin me origjinë turke, siç ishte rasti me fshatin Mamushë të Prizrenit, në Novobërdë afër Gjilanit...
Presioni i UDB-së që shqiptarët të regjistrohen si pakicë turke
Në diskutime, të cilat i zhvillonim lidhur me këtë çështje, ne theksuam se gjuha turke nëpër disa qyteza të Kosovës është trashëgimi e sundimit të Perandorisë Osmane dhe që pavarësisht se dikush e flet në familje edhe shqipen, ata e ndiejnë veten me kombësi shqiptare dhe shkojnë në shkollë në gjuhën shqipe. Gjithashtu theksonim se regjimi i Mbretërisë Jugosllave kishte bërë përpjekje që një numër të shqiptarëve të Kosovës t’i shpërngulte për në Turqi, me pretekstin sikur ata janë turq dhe jo shqiptarë. Pas shumë debateve dhe polemikave të ashpra, të cilat i patëm me kuadrot serbe dhe malazeze të Kosovës, çështja u shtrua në një mbledhje plenare të Komitetit Krahinor dhe të kërkohet që direktiva e KQ-së të PKJ-së të zbatohet, por jo me dhunë, jo me diktat, jo me direktivë politike, pra kush dëshiron të deklarohet me përkatësi turke, mund ta bëjë në mënyrë demokratike, nëse e ndien veten turk.
Nga fryma e diskutimit, plot nervozë dhe tendencë shoviniste e kuadrove serbe dhe malazeze, pra në mbledhjen plenare të Komitetit Krahinor, u pa hapur se kuadrot serbe dhe malazeze nuk kanë për t’i respektuar të drejtën dhe lirinë e shprehjes dhe të përcaktimit, por do të përdorin presionin politik. Kjo ishte e qartë, sepse qëllimi i kuadrove serbe dhe malazeze, sigurisht në frymën e shovinizmit serbomadh, ishte që sa më shumë shqiptarë të Kosovës të lajmërohen, të regjistrohen me përkatësi turke. Madje, ne si udhëheqje shqiptare e Kosovës u njoftuam se kuadrot serbe dhe malazeze, për t’i realizuar këto qëllime serbomadhe dhe antishqiptare, siç ishin Predrag Ajtiq, Zhivojin Gjuriqiq, Milija Kovaçeviq, Ilija Gjukiq, Rade Gllaviq, kishin thirrur njerëz të ndryshëm, me të cilët kishin biseduar gjatë për t’i bindur që edhe nën presion, edhe me kërcënim, edhe me dhunë të regjistrohen me kombësi turke. Kërcënimet e tilla kishin dhënë rezultat. Ishte numër shumë i madh i familjeve shqiptare, në radhë të parë nëpër qytete, ndaj të cilëve u zhvillua presion i jashtëzakonshëm, por kishte pasur edhe individë, persona dhe familje, të cilët nuk i ishin nënshtruar presionit, kërcënimit dhe dhunës për ta ndërruar kombësinë dhe për t’u regjistruar nga kombësia shqiptare në turq. Ky aksion antishqiptar bëri që familje të tëra, si rezultat i dhunës dhe kërcënimit nga aspekti kombëtar, të ishin ndarë në dysh, pra kishte prind i cili me ndonjë fëmijë të tij ishte i regjistruar turk, kurse tjetri bashkëshort, e ëma, shembull, me fëmijë të tjerë nuk kishin pranuar ta ndryshonin përkatësinë kombëtare dhe ishin regjistruar si shqiptarë.
Ne udhëheqja shqiptare e Kosovës: unë, Fadili, Ramadan Vraniqi, Xhevdet Hamza etj., posa u ballafaquam me këtë skenar antishqiptar, kërkuam që të mbahet mbledhje plenare e Komitetit Krahinor për të shqyrtuar këtë situatë, pra për të kuptuar se ç’po ndodh me këtë fushatë për ndryshimin e kombësisë, përkatësisht regjistrimin nga kombësia shqiptare në atë turke. Unë personalisht kam shkuar dhe kam prezantuar në shumë takime politike në Prishtinë, Prizren, Gjakovë dhe në qytetet tjera të Kosovës dhe lirisht mund të them se si rezultat i aktivitetit tonë, i kundërvënies së vendosur ndaj këtyre planeve dhe metodave, ai aktivitet deri diku u ndërpre, veçmas u pamundësua presioni që bëhej ndaj familjeve të tëra shqiptare, ka pasur mundësi që presioni, i cili deri atëherë ishte zhvilluar hapur, më pastaj ka ndodhur fshehurazi. Nga ana tjetër, nacionalistët dhe shovinistët serbë dhe malazezë, të përkrahur nga nivelet më të larta shtetërore të Serbisë dhe të Jugosllavisë, e filluan një fushatë, një aktivitet të rreptë politik kundër ne udhëheqësve shqiptarë, duke arritur kulmin në një mbledhje të Këshillit Krahinor, në të cilën ne, dhe në radhë të parë Fadil Hoxha, u akuzuam si nacionalistë shqiptarë dhe që gjoja po bëjmë çdo gjë për ta penguar zhvillimin e aksionit të lajmërimit, regjistrimit të shqiptarëve si pakicë turke. Për më keq, kundër Fadil Hoxhës në po të njëjtën mbledhje u ngritën edhe disa kuadro shqiptare. Sulmi kundër Fadilit dhe kundër ne shqiptarëve ishte bërë me qëllim për t’i frikësuar kuadrot e tjera shqiptare që të mos e ngrinin zërin kundër këtij aksionit famëkeq.
- Vijon të hënën e ardhshme -
FEJTON EKSKLUZIV PËR GAZETËN “ZËRI”. TË GJITHA TË DREJTAT PËR RIBOTIM JANË TË REZERVUARA!