Bideni në vitin 1999: Duhet të hyjmë me trupa tokësore në Kosovë e deri në Beograd dhe ta arrestojmë Milosheviqin
Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, së bashku me dy senatorët, Bob Dole dhe John McCain, gjatë një debati në emisionin politik “Meet the Press” po debatonin për bombardimet e NATO-s në Kosovë, në vitin 1999.
Bideni, tani i konfirmuar si president i SHBA-së edhe nga Kongresi, në vitin 1999 ishte ithtar i ndërhyrjes tokësore në Kosovë.
Ai thoshte se SHBA-ja duhet të hyjë me trupat tokësore në Kosovë dhe se duhet të shkojnë drejt e në Beograd ta arrestojnë Milosheviqin.
“Shihni, në Washington ka vetëm tre njerëz që mendojnë se duhet të shkojmë drejt e në Beograd dhe ta arrestojmë Milosheviqin. Le të mos e gënjejmë veten, jemi vetëm tre njerëz (Biden John McCain dhe Bob Dole), të tjerat që thuhen janë llafe kot. Kongresi republikan as që dëshiron të votojë për bombardime, forcat e NATO-s as që e kanë në mend idenë e dërgimit të trupave tokësore. Nëse presidenti e do këtë ose jo, kjo nuk ka rëndësi. Pyetja, mendoj unë, është se çfarë do të quajmë fitore. Kemi qenë edhe më parë në këtë emision”, thoshte Bideni.
“Përkufizimi i fitores është nxjerrja e të gjitha trupave jashtë Kosovës, kthimi i shqiptarëve në Kosovë dhe hyrja në Kosovë e një force të udhëhequr nga NATO-ja. Kjo (që thuhet tani) nuk është fitore totale. Kjo nuk është fitorja që dua unë, nuk është fitorja që do John McCain”, thoshte Bideni.