Intervistë e Ramush Haradinajt pak ditë pas masakrës në Burgun e Dubravës
Sot janë bërë 21 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës, ku u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe më shumë se 300 të tjerë mbetën të plagosur.
Kjo masakër është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999, ku pas bombardimit të burgut nga forcat e NATO-s, duke menduar se aty gjendej një nga caqet e ushtrisë serbe, policia serbe ka mbajtur peng të burgosurit, ku edhe kishte kryer masakrën.
Pas masakrës vendin e ngjarjes e kishte vizituar Ramush Haradinaj si komandant i UÇK-së, ndërsa kishte dëshmuar për masakrën para medieve të huaja, shkruan “Zeri.info”.
Haradinaj në këto pamje shihet në fushën e mbushur me trupa të shqiptarëve të vrarë, teksa u tregon gazetarëve se aty është kryer njëra nga masakrat më të rënda nga forcat serbe, ku ishin zbuluar edhe trupa pa kokë dhe të gjymtuar në mënyrën më çnjerëzore.
“Së pari po i përdornin këta njerëz si pengje, si mburoja njerëzore. Ata po i detyronin të bënin një luftë të detyruar, të hapnin pozicionet e luftës, të bënin çdo veprimtari, shumicën e kohës për të pastruar zonën ku ata vranë, siç po shihet këtu. Ata po përpiqeshin të mbulonin krimin”, thoshte Haradinaj para medieve të huaja në atë kohë. /Zëri