Edi Rama po bie viktime e Serbisë sikur Enveri dikur

Edi Rama po bie viktime e Serbisë sikur Enveri dikur

Dosier January 03, 2020 - 11:41

Edi Rama po bie viktime e Serbisë ashtu sikurse Enver Hoxha në kohën e Josip Titos. Sipas mediave të Shqipërisë kryeministri i tanishëm i Shqipërisë Edi Rama po bie pre e Serbisë për të punuar kundër Kosovës.

Siç thuhet në një video të transmetuar nga mediat shqiptare, në vitin 1946 u shkrua një dokument sipas tyre i arkivave sovjetike i cili kishte një përmbajtje krejtësisht të frikshme. Sipas këtij dokumenti qëllimet e Titos në atë kohë ishin që Jugosllavia të kishte dalje në det përmes Vlorës. Tutje sipas tyre Serbia e sotme po e shfrytëzon Edi Ramën për të njëjtën çështje pra për të i realizuar qëllimet e veta, transmeton zeri.info.

“Vlora nuk duhet të i jepet Greqisë. Rëndësia e Vlorës është veçanërisht e madhe, përderisa është një pikë mjaftë strategjike dhe përderisa përmes Vlorës duke e lidhur atë me rrjetin hekurudhor të Jugosllavisë mundet që në vazhdim të eksportosh të gjitha mallrat. Vlera e Vlorës merr përmasa edhe më të rëndësishme nëse Triestja nuk do të përfshihet në territorin jugosllav. Titos i rrëshqitën nota të llojit se në fund të fundit Shqipëria duhet të përfshihej në përbërje të Federatës Jugosllave”, thuhet në këtë dokument.

Ajeta Shahu pedagog i historisë thotë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë nuk kanë qenë asnjëherë në interesat e popujve por të partive.

“Marrëdhënie mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë nuk kanë qenë mes popujve por mes partive dhe si të tilla ato nuk u ndikuan nga interesat e popujve por nga interesa partiake ideologjike dhe çdo marrëdhënie e kushtëzuar dhe nxitur nga ideologjia asnjëherë nuk i shërben interesave kombëtare”, ka thënë ai për mediat Shqiptare.

Në çdo rast sipas mediave të Shqipërisë, qëllimi i Josip Titos ishte sabotues për çështjen kombëtare shqiptare. Abdi Baleta diplomat dhe politikan thotë se vrasja e 45 mije kosovarëve ishte zbatim i planit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Sipas tij kosovarët u besuan vëllezërve të tyre shqiptarë dhe u vranë.

“Jo vetëm masakra e Tivarit po e gjithë masakra që është bërë në Kosovë se janë vrarë rreth 45 mije vetë në Kosovë e gjitha ajo ka qenë në shërbim të zbatimit të projekteve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Kosovarët u vunë para dilemës. Ne dorëzohemi para vëllezërve tanë shqiptarë dhe u masakruan. Ka shume shkrime në Kosovë që e vërtetojnë këtë. Një psikozë e çuditshme në atë kohe. Jemi vëllezër dhe vëllezërit për ideologji harruan vëllazërinë për gjak”, ka thënë ai.

Të njëjtën gjë e pohon edhe historiani Beqir Meta i cili tha se në vitin 1945 rreth 1000 kosovarë që kishin ikur nga Kosova në Shqipëri iu dorëzuan organeve të Jugosllavisë nga Shqiptarët dhe siç tha ai gjithë këta kosovarë u asgjësuan dhe të cilëve nuk u dihet varri.

“Rreth 1000 kosovarë që ishin strehuar në Shqipëri dhe këta u mblodhën nga qeveria komuniste dhe iu dorëzuan organeve të ndryshme Jugosllave në Tiranë e cila i mori dhe i asgjësoi të gjithë gjatë rrugës pra nuk ka arritur askush nga ta në Kosovë dhe askush nuk e din varrin e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tyre koha kishte treguar se Enver Hoxha i kishte pasur punët ngushtë vetëm gjatë kohës së vëllazërisë me jugosllavët. Kjo sipas tyre shpjegon edhe fobinë e tij anti-jugosllave që e shoqëroi deri në fund të jetës. /ZERI