Për herë te parë Albin Kurti tregon si iu organizua konferenca e famshme në burgun serb

Për herë te parë Albin Kurti tregon si iu organizua konferenca e famshme në burgun serb

Dosier tetor 04, 2019 - 17:56
Detajet

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në intervistën e fundit para zgjedhjeve të 6 tetorit në Pressing të T7 ka ndarë detaje nga koha kur është burgosur nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Ai ka thënë se nuk ka pritur se do të lirohet, pasi që ishte marrë vendim për dënim me 15 vjet burg.

“Unë kam menduar që s’do të më lirojnë fare. Kur më dënuar me 15 vjet burg, unë s’kam menduar që dal prej aty. Bile s’kishte libra, e na erdhën pak të tilla. Thash ta mësoj edhe një gjuhë të huaj ashtu kot. S’kam besuar që dalë i gjallë”, ka thënë Kurti.

Në bisedë e sipër Kurti ka dhënë detaje edhe për intervistën e famshme nga burgu, për të cilën kundërshtarët politikë kishin provuar ta njollsonin edhe pse aty Kurtit e godet keq një ministër serb i cili mundohet t’i shtrojë pyetje provokative duke e nxitur të flas kinse për mirëqenien në burg.

Kurti ka treguar se si një gazetar i huaj që ishte së bashku me një grumbull gazetarësh ndërkombëtar e ka njohur Kurtin në burg, pasi e kishte parë rreth dy muaj më herët në një gjykatë në Nish.

Kreu i VV’së ka treguar se ai gazetar pastaj u ka ndryshuar drejtimin të gjithë kolegëve të tij dhe i ka dërguar drejt Kurtit, edhe përkundër faktit se aty kishte një kordon të sigurimit.

Albin Kurti thotë se ata gazetarë ishin destinuar që t’i intervistonin dy të burgosur tjerë shqiptarë të cilët gjendeshin në ambulantë e të cilët ishin përgatitur të flisnin për kushtet e burgut.

Por gazetari i huaj që e kishte njohur Kurtin, ua kishte prishur planin.

“Ata nuk kishin ardhë të më intervistonin mua. Ata kanë hy në oborrin e burgut. Unë e vërjeta që atë ditë ushqimi ishte më i mirë. Një gjëllë e trash, jo asi supe të hollë me lakna të tharta, po ish një gjellë e trashë. Ata na lanë që mos me ecë në rreth në shetitje, po në mesin e vet. Unë mendova që po vjen Kryqi i Kuq. Kur vinte Kryqi i Kuq ndërkombëtarë, atë ditë hanim pak ma mirë… faqet pak ma të kuqe janë… Edhe e pash që hyri një numër i madh i gazetarëve me kamera prej atje, E kishin një kordon të gardianve. E mua një prej gazetarëve të huaj nuk e di kush ka qenë…. ata kanë dasht me shku te ambulanta ku i kanë pas dy shqiptarë të përgatitur për me dhanë intervistë e për të folur rreth kushteve e burgut. Edhe njëri prej gazetarëve ndërkombëtarë më ka njoft mue, sepse më ka pa në gjyq 1 muaj e gjysmë më herët në Nish. Në gjyq sjanë leju kamerat, po ai më ka njoft. Edhe ai komplet këtë shpurën e gazetarëve e ka sjellë në drejtim timin. E ky kordoni i gardianve u ndodhen në sikelt nuk ditën se cka me ba. Ata nuk munden me e mbajt kordonin, hyrën brenda. Nuk e kam ditur që është edhe ministri i Drejtësisë. Ata insistojshin që me folë për kushtet e me lavdëru gjellën e trashë të asaj dite.Edhe ata mi sollën mikrofonat para goje. Cka me bo unë me heshtë”, rrëfen Kurti.

Kurti më pas ka treguar se nuk ka pasur pasoja për ato që i kishte thënë, pasi tregon se e kishin rrahur shumë derisa e kishin dërguar nga Nishi në Pozharevc në mars të vitit 2000.