Momentet kur presidenti i ndjerë Rugova vizitonte refugjatët në Maqedoni 20 vjet më parë

Momentet kur presidenti i ndjerë Rugova vizitonte refugjatët në Maqedoni 20 vjet më parë

Dosier maj 26, 2019 - 19:32
Lexo Detajet

Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, sot 20 vjet më parë kishte vizituar refugjatët kosovarë në Maqedoni.

Më 26 maj të 1999-s, Rugova ishte takuar me udhëheqës të Maqedonisë, me diplomatë të huaj në Shkup, e me bashkëpunëtorë të tij, që asokohe ishin refugjatë në Maqedoni.

Një prej tyre ka qenë Muhamet Hamiti, i cili ka kujtuar vizitën e Rugovës në Maqedoni, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Kam kujtime të gjalla nga takimi me prijësin tonë atë ditë”, është shprehur ai në rrjetin social, në internet.

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër po ashtu ka publikuar një videolajm të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Associated Press.

“Mbi të gjitha, siç shihet në këtë storie të Associated Press-it, Presidenti Ibrahim Rugova u prit me gëzim e brohoritje nga refugjatët kosovarë në Stenkovec”, ka shkruar Hamiti.

“Duke folur frengjisht e anglisht para gazetarëve të shumtë, Presidenti Rugova thotë se duhet të vendoset prani ndërkombëtare, trupa tokësore të NATO-s në Kosovë, për të krijuar kushtet që shqiptarët të mund të kthehen në atdheun e vet. Po punohet me mjete ushtarake e diplomatike që kjo të bëhet realitet, thotë Presidenti Rugova, duke u shprehur optimist për të ardhmen e popullit dhe vendit të vet”, ka thënë ai.