Rrëfimi i dy personave që varrosën anëtarët e familjes Jashari

Rrëfimi i dy personave që varrosën anëtarët e familjes Jashari

Dosier mars 05, 2019 - 18:29
Lajmet e fundit nga vendi!

Nazmi Isotgu dhe Fekë Feka nga Skenderaj, kanë rrëfyer për gjithë ngjarjen e varrosjes së anëtarëve të vrarë të familjes Jashari.

Ata kanë treguar se si para 21 vjetësh së bashku me shumë qytetarë janë organizuar për të zhvarrosur fillimisht trupat e Jasharajve, dhe më pas për ti vendosur nëpër arkivole e për ti varrosur më pas.

Varrimi i tyre kishte zgjatur dy ditë. Ditën e parë nuk kishin arritur të varrosnin të gjithë, dhe e kishin ndërprerë varrimin pasi që nuk kishte fare as media, të cilat do të mund të dëshmonin se çfarë krime makabre kishte kryer ushtria serbe ndaj familjes Jashari.

Më pas siç tregojnë ata, në ditën e dytë të varrimit kanë ardhur me dhjetëra kamera të cilat e kanë dokumentuar gjithë atë që ka ndodhur.

Fekë Feka ka rrëfyer ekskluzivisht se në çfarë gjendje kishte qenë trupi i komandantit legjendar, Adem Jashari. Istogu thotë se komandanti e kishte pasur vetëm një plumb në fyt, i cili me gjasë kishte qenë i një snajperi.

Të dy të ftuarit e kanë mohuar se anëtarët e vrarë të familjes Jashari janë varrosur me ceremoni fetare, pasi sipas tyre gjatë momenteve të varrosjes nuk ka qenë i pranishëm asnjë hoxhë.

I vetmi që ka qenë i pranishëm gjatë varrimit, ka qenë Zekirija Cana, i cili kishte lexuar vetëm një letër.

Fekë Feka ka treguar se të gjitha arkivolet për familjarët e vrarë kanë ardhur nga qyteti i Gjakovës.

Nazmi Istogu ka treguar se fillimisht trupat e vrarë të Jasharajve kanë qenë të vendosur në oborrin e stacionit të policisë në Skenderaj, të cilët kanë arritur t’i marrin falë ndërmjetësimit të Ilmiut.

“ Me datën 5-6-7 ka ndodhur masakra më e madhe e familjes Jasharaj. Dita ishte shumë e ftohtë dhe e vështirë. Trupat që ishin masakruar ishin dërguar në Prishtinë. Pasi janë kthy prej Prishtinës, trupat e të vdekurve janë pozicionuar para stacionit policor. Ilmiu ka biseduar me komandantin e  policisë, dhe ai ka thënë që duhet ti marrësh kufomat për t’i varrousr, ose t’i vendosish në oborrin tënd derisa të gjeni një zgjidhje për t’i varrosur. Me Ilmin jemi takuar në Skenderaj dhe e kemi formuar këshillin e varrimit”, ka thënë Istogu, raporton Gazeta Express.

Ai ka treguar se si varrimi ka zgjatur dy ditë, dhe pse kanë ndërprerë varrimin në ditën e parë.

“Kemi qenë 10 persona, e kemi marrë një pjesë të madhe të bezit (qarqaf), dhe 100 qytetarë kemi shku në varrim në lagjen Jasharaj. Duke shkuar kemi hasur në policinë serbe. Ne kemi hy në atë kordon kokë ulun se na i kanë vra. Kur kemi shku te vorret, kemi fillu me i hap vorret. Kemi shku deri tek varri i 20-të. Disa persona kanë folur, por kanë qenë në periferi. Na kanë bërë presion sepse kishte rënë terri dhe ne nuk kishmi mundur t’i varrosim as 1/3 ën e të vrarëve. Nu ka pas ceremoni fetare. Nesër e kem lënë në 10 ora me u tubu, dhe kemi ftuar Klinën me na u bashku, me na ndihmua për me i varros. Data e parë e varrimit ka qenë me 10 mars, dhe në ditën e parë nuk ka pasë kamera, dhe e kemi ndërpre sepse askush nuk do ta dinte se çfarë ka ndodhur. Pastaj në ditën e dytë kanë qenë me dhjetëra kamera”, ka rrëfyer ai.

Fekë Feka ndër të tjera ka rrëfyer për procesin e zhvarrimit dhe varrosjes nëpër arkivole.

“Ne i kemi njoftë viktimat, sepse kemi qenë edhe familjar.Na u dasht me i zhvarros. I kemi përgatit arkivolet., Ka qenë edhe një hoxhë që nuk duhet me ia humb kontributin. Ai na ka ndihmu me përgatitjen, por ska qenë në varrim”, ka thënë ai në FRONTAL.

Ata kanë treguar që në ceremoninë e varrimit ka qenë i pranishëm Zekirija Cana i cili kishte lexuar një letër gjatë ceremonisë së varrimit dhe se e kishte ftuar dikë nga familja e Jasharajve për të thënë diçka.

Feka thotë se aty është afruar vajza e Adem Jasharit e cila kishte thënë se asgjë nuk kishte ndodhur, duke treguar për trimërinë e familjes Jashari.

“Ademin, Hamzën edhe Shabanin, dhe i kemi tubu të tretë ma afër. As unë hoxhallarë nuk kam pa. Por ka qenë Zekirija Cana. Ai na ka dhënë gajret. Ai e ke lexu një letër: Këta e kanë dhënë jetën për liri, dhe ka ftuar familjarët nëse kanë diçka me thanë. U afru motra e Adem Jasharit, e ka thënë që asgjë nuk na ka gjete”, ka thënë ai.

Feka ka treguar se arkivolet për varrosjen e Jasharajve kishin mbërritur në Skenderaj nga Gjakova.

Ai ka rrëfyer ekskluzivisht për gjendjen e trupit të komandantit Adem Jashari.

“Arkivolet na kanë ardhur prej Gjakove.  Na e kemi varros Adem Jasharin. Dhe I kemi vendosur emrin qe me e dite. E kam vëzhguar trupin e Adem Jasharit,  nuk ka qenë I dëmtuar, në përjashtim të një shenjë në fyt. Shok e poshtë ka qenë me pantolla, por shko e lartë ka qenë I zhveshur. Një plumb e ka pas ndoshta nga një snajperk.

Ademi kur kanë ndodhur luftimet ka qenë në pjesën e përparme të shtëpisë”, ka rrëfyer ai.

Feka ka rrëfyer edhe për takimin që kanë pasur më pas me Besarta Jasharin, e cila i kishte treguar se të gjithë familjarët janë vrarë.

Ndër të tjera ajo kishte treguar se si e kishin marrë forcat serbe pasi e kishin zbuluar që kishte mbetur gjallë dhe e kishin dërguar fillimisht në fabrikëne  municionit.

“Kontaktin e parë e kemi pasur me Besartën, ka qenë e veshur me ca trenerka të gjelbërta. E kemi pyetur se çfarë ka ndodhur. Ajo ka tregu që janë vra të gjithë familja. E pyetem se a ka mbet dikush gjallë: Kanë ardhë tha na kanë prek krejt trupat, ndërsa kur kanë ardhë tek unë e kanë vërejt që jam gjallë, e me kanë marrë me kanë dërgu fillimisht në fabrikën e municionit”, ka thënë ndër të tjera Fekë Feka nga Skenderaj, i cili kishte marrë pjesë në varrimin e anëtarëve të vrarë të familjes Jashari.