A do të dënohet Granit Xhaka për fanellën “Jashari”? – Federata Zvicerane s’ka dyshime

A do të dënohet Granit Xhaka për fanellën “Jashari”? – Federata Zvicerane s’ka dyshime

Botërori 2022 December 03, 2022 - 19:50
Lajmet e fundit nga Sporti

Federata e Futbollit e Zvicrës nuk pret që Granit Xhaka të dënohet nga FIFA, pasi kapiteni i Zvicrës e veshi fanellën e Jasharit pas ndeshjes kundër Serbisë.

Të premten mbrëma, Zvicra shënoi fitore me rezultatin 3:2 dhe siguroi kalimin për në 1/8 e finales në Kupën e Botës.

Granit Xhaka ishte cak i provokimeve të shumta nga serbët, teksa edhe u përfshi në një sherr në fundin e ndeshjes me futbollistët kundërshtarë, kur edhe u ndëshkua me karton të verdhë.

30-vjeçari pas ndeshjes u pa duke festuar me fanellën e Ardon Jasharit, shqiptarit tjetër që luan për Zvicrën.

“Jo, nuk kishte asgjë politike brenda kësaj. Ishte një referim dhe dedikim për Ardonin, i cili është një i ri që po rritet shpejt, e të cilin e këshilloj shumë dhe që meriton shumë respekt për atë që është duke e bërë”, deklaroi Xhaka në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Megjithatë, edhe një interpretim tjetër u bë pas këtij veprimi, që u lidh me familjen heroike, Jashari, të Prekazit.

Serbët e cilësuan këtë si provokim dhe publikuan lajme skandaloze në stilin e tyre. Por, nga Federata e Futbollit e Zvicrës është thënë sot se “nuk është hapur asnjë procedurë kundër Granit Xhakës”.

“Graniti siguron se mesazhi i tij nuk kishte asnjë konotacion politik”, u tha nga zyra për media e Federatës zvicerane, shkruan “Rts.ch”.

Tutje, sipas mediumit zviceran, Federata e Futbollit e këtij vendi shpreson që FIFA nuk do të ndërmarrë masa kundër mesfushorit të Arsenalit.

Mediumi në fjalë tutje shkroi se Xhaka do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Portugalisë, gjithmonë nëse FIFA nuk përfshihet. /Gazeta Express/