Franca kërkon të dytën, Kroacia për histori

Botërori 2018 July 14, 2018 - 10:38
Lajmet e fundit nga sporti

Të dielën e gjithë bota do t’i kthejë sytë kah Moska, ku do të zhvillohet njëra prej finaleve më interesante në historinë e futbollit botëror. Franca dhe Kroacia do ta zhvillojnë betejën e madhe për ta marrë primatin në futbollin botëror. Francezët e patën shijuar një herë Kupën e Botës, të cilin trofe e kërkojnë për herë të dytë. Por, kroatët do të bëjnë çmos që ta nderojnë vendin e tyre, duke e pasuruar historinë e shtetit të vet 27 vjeç edhe me një Kupë të Botës, e cila nuk ka ardhur asnjëherë më parë në Ballkanin e kontinentit të vjetër, shkruan Gazeta "Zëri".

Erdhi fundi! Pas një muaji me plot emocione, gola, lot e gëzime, Kupës së Botës i erdhi fundi. Të dielën sytë e të gjithë futbolldashësve do të jenë kah “Luzhniki” i Moskës për ndeshjen më të rëndësishme në sportin më të popullarizuar në botë. Franca dhe Kroacia do të luftojnë në mes vete për të kërkuar trofeun më të ëndërruar në botën e futbollit. Franca do të kërkojë triumfin e saj të dytë nga tri finalet e luajtura deri më tani në histori të Kupës së Botës. E në anën tjetër, Kroacia kërkon të shkruajë historinë duke fituar titullin e saj të parë në një këtë kompeticion.

Që prej pavarësisë si një shtet modern në vitin 1991, shteti i vogël ballkanik, me një popullsi prej vetëm 4.1-milionësh, është përfaqësuar pesë herë në kompeticionin më të madh të futbollit. Në dublimin e vitit 1998 “gjenerata e tyre e artë” e udhëhequr nga sulmuesi Davor Suker kishte arritur suksesin më të madh deri më tani, duke shkuar deri në gjysmëfinale, ku ishte mposhtur pikërisht nga Franca. Hakmarrja është një opsion për kroatët, por trajneri Zlatko Dalic insiston se ky nuk është një motivim për skuadrën e tij. “Në vitin 1998 unë isha në Francë si përkrahës për tri ndeshjet e para. Të gjithë në Kroaci e kujtojnë atë ndeshje, kur Thuram shënoi dhe ne humbëm 2:1. Kjo ka qenë temë diskutimi për 20 vjetët e fundit”, ka deklaruar Dalic. “Më kujtohet kur gëzuam golin e Sukerit, por sapo u ulëm rezultati u barazua. Të dyja skuadrat kanë treguar kualitetet e tyre, ne nuk kërkojmë hakmarrje, ky është futboll, ky është sport, por ne duhet të bëjmë përgatitjet e duhura për të luajtur ndeshjen më të mirë të turneut në finale”, është shprehur ai.

Ata duhet të japin më të mirën për të mposhtur një ekip yjesh të Francës. Në këtë garë ata janë treguar sensacionalë deri më tani. Për Francën ky duel mund të jetë një lloj shpagimi pas humbjes si vend nikoqir në finalen e Kampionatit Evropian ndaj Portugalisë. “Nuk është bash asgjë që të fitosh në gjysmëfinale të Kupës së Botës pas humbjes së finales në Evropian. Është sport, ne kemi këtë privilegj që t’ua dhurojmë lumturinë njerëzve francezë dhe publikut”, ka deklaruar Deschamps.

Me një triumf të mundshëm në Botëror Deschamps do të bëhet vetëm njeriu i tretë (pas brazilianit Mario Zagallo dhe gjermanit Franz Beckenbauer) që fiton kompeticionin më prestigjioz në futboll si lojtar dhe si trajner.

Belgjika dhe Anglia luftojnë për medaljen e bronztë

Shumëkush mund të argumentojë se kjo ndeshje është sfida më e vështirë që një lojtar duhet ta përgatisë. Duke ardhur kaq afër pavdekshmërisë sportive Belgjika tani duhet të kërkojë arritjen më të madhe të saj në histori të Botërorit, ndërsa Anglia arritjen më të madhe të çerekshekullit të fundit.

Kjo Belgjikë e rrjedhshme, shprehëse dhe jashtëzakonisht e talentuar ka shansin për lavdi, sepse fitorja për vendin e tretë do të bënte që ata të jenë gjenerata më e mirë në historinë e futbollit belg, duke tejkaluar suksesin e vitit 1986, kur dolën të katërtit.

Anglia, skuadra e së cilës është më e reja që paraqitet në fazën e fundit të kompeticionit, ndoshta nuk e ka shansin e fundit me këtë gjeneratë, por një rast është humbur.

Të dy formacionet e skuadrave janë të vështira për t’u parashikuar, pasi që kompeticioni është afër përfundimit dhe është ndeshja e tyre e shtatë. Por, vendi i tretë për “Tre Luanët” do të ishte arritja më e madhe e tyre që prej triumfit në vitin 1966. Gjithashtu do të bënte që ata të barazoheshin me ekipin e femrave, që fitoi medaljen e bronztë në Kupën e Botës për Femra në 2015-n.

Motivimi është shpeshherë faktori kyç në ndeshjen për vendin e tretë dhe belgët mund të jenë më të fortë në këtë aspekt. Thomas Meunier do të kthehet në ekip dhe gjithashtu e kanë theksuar se është e rëndësishme që të përfundojnë për herë të parë në vendin e tretë. Me shumë futbollistë që luajnë në Angli në ekipin e tyre “Djajtë e Kuq” qëndrojnë më mirë psikologjikisht pas fitores së parë ndaj anglezëve pas 82 vjetëve në fazën e grupeve.

Duke drejtuar Anglinë e dëshpëruar, rreth 72 orë pas përfundimit të ëndrrës për të triumfuar në Kupën e Botës, kjo ndeshje do të jetë një test real për Gareth Southgaten. Gjithashtu kjo është një mundësi për ta që të lënë një shenjë në “Rusia 2018” dhe duke ua dhënë një arsye për festë tifozëve. Ky ekip i ri është i vendosur që të lërë një shenjë në këtë Kupë të Botës.

 

Botërori 2018

 

E shtunë

“Play-Off”-i për vendin e tretë

16:00 Belgjika – Anglia

 

E diel

Finalja

17:00 Franca – Kroacia

Të rekomanduara