Nga Shkodra në Moskë!

Botërori 2018 July 13, 2018 - 11:54
Detajet

Rrugëtimi i Kroacisë për të arritur deri në finale të Botërorit ka qenë i gjatë. Gjithçka kishte nisur në Shkodër me një fitore 6:0 ndaj Kosovës, e cila ia dha asaj këmbën e mbarë. Luka Modric me shokë i kapërcyen problemet e brendshme dhe e mbyllën fazën kualifikuese të Botërorit në pozitën e dytë në Grupin I, e pamjaftueshme për të shkuar direkt në “Rusia 2018”. Iu deshën dy ndeshje me Greqinë në “Play-Off” për ta prerë biletën për në Rusi. Atje kroatët po e bëjnë namin. Pasi e mbyllën fazën e grupeve në mënyrë perfekte deri në finale shkuan falë tri ndeshjeve me vazhdime, dy prej tyre në penallti. Nga Shkodra në Moskë kroatët synojnë ta fitojnë Botërorin, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Rrugëtimi i gjatë i Përfaqësueses së Kroacisë për të arritur deri në finale të Botërorit kishte nisur nga Shkodra. Fitorja me rezultat 6:0 ndaj Kosovës në kualifikime ishte pikënisja e kroatëve drejt udhës jashtëzakonisht të suksesshme, por edhe të vështirë njëkohësisht.

Humbja e thellë nga kroatët ishte konsideruar si tragjedi në Kosovë, por tash po del që kjo nuk ishte një humbje turpëruese pasi Luka Modric me shokë u kualifikuan në finale të “Rusia 2018”.

Gjatë rrugës kroatët u përballën me vështirësi të ndryshme, por nuk u ndalën asnjëherë. Ata i regjistruan rezultatet pozitive një nga një dhe tash e shohin veten vetëm një hap larg të qenit kampionë të botës. Të dielën ata do të luajnë me Francën në finalen e madhe të Moskës dhe janë të stërmotivuar që t’ia sjellin Ballkanit trofeun e parë të Botërorit.

Fitorja ndaj Kosovës në Shkodër ua dha këmbën e mbarë

Në kualifikimet e Botërorit Kroacia kishte përfunduar në Grupin I, ku bënin pjesë edhe ekipet e tjera si Islanda, Ukraina, Turqia, Finlanda dhe Kosova. Kroatët kishin barazuar në ndeshjen e parë me Turqinë, 1:1 dhe gjithçka për së mbari për ta nisi në Shkodër. Kroatët e mposhtën Kosovën me rezultat 6:0 dhe aty e morën përpjetëzen. Më pas Kroacia fitoi 1:0 në Finlandë dhe më tutje e mundi në shtëpi Islandën 2:0. Kroacia ishte më e mirë se Ukraina në Zagreb 1:0, për t’u mposhtur më pas nga Islanda në udhëtim, 1:0. Kroacia e mundi më tutje Kosovën me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen me përplot shi, kurse më tutje u mund nga Turqia, 1:0. Kroacia pati rënie në këtë periudhë për shkak të problemeve të brendshme ndërmjet Federatës Kroate të Futbollit dhe futbollistëve dhe si rezultat barazoi në shtëpi me Finlandën, 1:1. Por, kroatët e treguan veten në ndeshjen vendimtare, ku e mposhtën Ukrainën në udhëtim 2:0, për ta mbyllur fazën e grupeve në pozitën e dytë me 20 pikë, dy më pak se lideri, Islanda, shkruan "Zëri".

Në Botëror, përmes barazhit

Kroacia e mbylli fazën kualifikuese të Botërorit në pozitën e dytë dhe kjo ishte e pamjaftueshme për të që ta siguronte pjesëmarrjen direkte në Botëror. Andaj, kroatëve iu desh të luanin në ndeshjet e barazhit me Greqinë, me të cilën barazuan në udhëtim pa gola, 0:0, në duelin e parë dhe më pas fituan me rezultat të thellë 4:1 në Zagreb, për t’u bërë njëra nga 32 skuadrat pjesëmarrëse të Botërorit.

Perfektë në fazën e grupeve

Kroacia e nisi për mrekulli Botërorin e Rusisë. “Vatreni” e mbyllën fazën e grupeve në mënyrë perfekte me tri fitore në Grupin D, duke e mposhtur fillimisht Nigerinë 2:0, pastaj Argjentinën 3:0 dhe në fund Islandën 2:1. Me 9 pikë të grumbulluara Kroacia ishte njëra prej ekipeve të rralla që shënoi tri fitore dhe ekipet e tjera nisën të frikësoheshin nga këto statistika.

Në finale përmes vazhdimeve dhe penalltive

Për të shkuar deri në finale kroatëve u është dashur t’i fitonin tri lojë përmes vazhdimeve dhe penalltive. Në të tetën e finales Luka Modric me shokë fituan ndaj Danimarkës me penallti pasi loja e rregullt dhe vazhdimet përfunduan baras, 1:1. Edhe fazën çerekfinale kroatët e kaluan falë 11-metërshave, pasi 120 minutat lojë me Rusinë u mbyllën baras, 2:2. Në të dyja rastet penalltinë vendimtare në gol e shndërroi Ivan Rakitic.

Në gjysmëfinale Kroacia luajti për herë të tretë rresht në vazhdime, por ndaj Anglisë nuk iu nevojitën penalltitë, pasi e mbylli lojën në minutën e 109-të falë golit të Mario Mandzukicit. Me tri lojë në vazhdime dhe me dy ndeshje në penallti Kroacia e preku finalen e parë në histori të saj, duke e kaluar gjeneratën e artë të këtij vendi, pjesë e së cilës ishte edhe shqiptari Ardian Kozniku, që ishte ndalur në gjysmëfinale, edhe pse më pas e kishte fituar medaljen e bronztë. Gjenerata e tanishme e ka siguruar tashmë medaljen e argjendtë, por kjo për momentin duket e pamjaftueshme, pasi apetitet e kroatëve janë rritur dhe ata e duan medaljen e artë, respektivisht të shpallen kampionë botërorë./Zëri

 

Të rekomanduara