Kroacia përmbysë Anglinë dhe shkon në finale

Botërori 2018 July 11, 2018 - 22:34
Detajet

Kroacia është kualifikuar në finale të Botërorit pas triumfit 2:1 nda Anglisë, shkruan zeri.info

Kroatët ishin në disavantazh 1:0, por arritën që të barazonin dhe më pas të triumfonin në vazhdime.

Ishte Anglia ajo që e filloi mjaft mirë takimin duke realizuar gol qysh në minutën e pestë, falë një goditje të bukur të Kieran Trippier nga gjuajtja e lirë. Pavarësisht, golit të shënuar, anglezët vazhduan të ishin më të rrezikshëm dhe kërcënuan disa herë portën e kroatëve. Por, nuk arritën dot t’i konkretizonin rastet. Në anën tjetër, kroatët nuk treguan shumë në pjesën e parë dhe rezultati nuk ndryshoi pas dyzetepesë minutave lojë.

Në pjesën e dytë dominimin e lojës e mori Kroacia, që u vu në kërkim të golit të barazimit. Ndërsa, anglezët bazoheshin në lojë kryesisht mbrojtëse. Dominimi në lojë bëri që kroatët të gjejnë golin e barazimit përmes Ivan Perisicit, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një harkim të Sime Vrsaljkos në minutën e 68-të. Pak minuta pas golit të shënuar, Perisic goditi edhe shtyllën e majtë pingule të Jordan Pickfordit. Kroatët ishin mjaft të rrezikshëm në vazhdim të takimit, por pavarësisht rasteve të tyre, koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1:1 dhe ndeshja shkoi në vazhdime.  

Në vazhdime Kroacia arriti që të shënojë gol dhe ta përmbysë rezultatin. Mario Mandzukic realizoi për 2:1 në minutën e 109-të.

Kjo është finalja e parë e Kroacisë në histori të Botërorit./Zëri

Të rekomanduara