Botërori kërkon finalistin e dytë

Botërori 2018 July 11, 2018 - 12:32
Detajet

Bota e futbollit do ta mësojë sonte emrin e finalistit të dytë të Kupës së Botës. Anglia do ta kërkojë finalen e parë që prej vitit 1966. Ndërkohë, kroatët finalen e parë në histori. “Luzhniki” pret një betejë të fortë në kërkim të finalistit të dytë, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Sonte Kupa e Botës do ta mësojë edhe emrin e finalistit të dytë. Gjysmëfinalja mes Anglisë dhe Kroacisë pritet të sjellë një atmosferë të zjarrtë në “Luzhniki” për të kërkuar finalen e madhe të Botërorit. Të dyja skuadrat kanë pasur një pritje mjaft të gjatë për të ardhur këtu ku janë sot. Anglezët kanë pritur për një gjysmëfinale prej 28 vjetësh, kurse kroatët që prej vitit 1998.

Me të vërtetë finalja e parë mes dy përfaqësueseve në Kupën e Botës do të ngërthejë një histori në vete. Kroacia ishte mposhtur nga vendi nikoqir Franca në 1998-n, kështu që ata kurrë nuk kanë luajtur në një finale të Botërorit, ndërsa “Tre Luanët” kanë luajtur vetëm një herë në finale, në triumfin e tyre para më shumë se një gjysmë shekulli, si nikoqire në vitin 1966.

Nëse të dy trajnerët janë të sinqertë, atëherë do ta pranojnë se para fillimit të këtij kompeticioni ata nuk do të kishin pritur që të vinin deri në këtë fazë. Të dyja ekipet sigurisht që e kanë merituar këtë plasman falë paraqitjeve të tyre. Kroacisë i është dashur të luajë në dy ndeshje radhazi nga 120 minuta, duke mposhtur me penalti Danimarkën dhe nikoqirët e Rusisë. Në anën tjetër, Anglia theu rekordin famëkeq të penaltive, duke triumfuar për herë të parë me anë të gjuajtjeve të tyre ndaj Kolumbisë në të tetën e finales, kurse në çerekfinale e mposhtën Suedinë 2:0.

Kroacia beson që mund t’ia dalë përballë Harry Kanet, pasi që kishte ndalur Lionel Messin në fazën e grupeve. Zlatko Dalic beson verbërisht te ekipi i tij, por sa energji u ka mbetur futbollistëve të tij? Kroatët kanë luajtur 240 minuta në gjashtë ditë dhe lojtarët e lodhur mund të jenë problem për trajnerin. Gjithashtu ekipi i tij ka shënuar nëntë gola deri më tani, tetë prej të cilave kanë ardhur nga golashënues të ndryshëm. Kjo është një gjë e mirë për Dalicin, por trajneri pa dyshim që kërkon kontribut më të madh nga sulmuesit e tij.

Kampi kroat nuk pritet të befasohet nga ekipi i përzgjedhur i Gareth Southgatet, i cili nuk pritet të ketë asnjë lojtar të lënduar dhe një formacion të pandryshuar. Anglia ka treguar se mund t’u adaptohet stileve të ndryshme të lojës në “Rusia 2018” deri më tani dhe këtë herë do të mundohen të kalojnë mesfushën e rrezikshme të Kroacisë. Mund të jetë një sfidë më e ngushtë, më e përafërt se që do të preferonte Anglia, por ata priten t’i qëndrojnë besnik sistemit të tyre./Zëri

Botërori 2018

Gjysmëfinalja

E mërkurë

20:00 Kroacia – Anglia

Të rekomanduara