Zgjodhi futbollin para kontabilitetit

Botërori 2018 July 10, 2018 - 15:32
Detajet

Harry Maguire, i cili është njëri prej lojtarëve kyç të Anglisë në arritjen deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës, dikur mund ta kishte zgjedhur një profesion tjetër. Ish-mësuesja e mbrojtësit të Leicester Cityt thotë se Maguire ishte i mirë me shifra dhe mund të ishte bërë kontabilist. Por, në fund ai zgjodhi futbollin, që doli të jetë një zgjedhje mjaft e mençur, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Harry Maguire ishte heroi i Anglisë të shtunën, kur shënoi me kokë, për t’ia dhuruar epërsinë ekipit të tij në çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Suedisë. Por, ish-mësuesi i tij thotë se gjithçka do të ishte ndryshe nëse ai do të zgjidhte profesionin e kontabilistit. Mbrojtësi shtatlartë anglez ka qenë i jashtëzakonshëm me paraqitjet e tij në Kupën e Botës, por kur ishte fëmijë ishte kampion në shifra. 25-vjeçari kishte qenë pjesë e shkollës së mesme “St Mary Catholic” në Chesterfield, ku kishte shkëlqyer në mësime.

“Ai ishte një nxënës i jashtëzakonshëm, i cili gjithmonë vinte dhe punonte shumë, shprehet Sue Cain, kryesuesja e mësimdhënësve të shkollës. “Ai kurrë nuk hynte në telashe dhe kishte një sjellje të mirë. Ai bënte gjithçka që i kërkohej dhe asnjëherë nuk pyeste pse. Ai ishte një djalosh i popullarizuar”, shton ajo.

Qendërmbrojtësi i Leicester Cityt kishte nota të larta në provime, duke përfshirë edhe matematikën, lëmin të cilën Cain e shihte si të ardhmen e lojtarit.  “Ai merrte A (nota më e lartë) me yll dhe A në Certifikatën e Përgjithshme të Shkollimit Sekondar. Mendoja se ai do të shkonte në studime për biznes ose matematikë dhe ndoshta do të bëhej një kontabilist”, shprehet Cain.

Në fund djaloshi i lindur në Sheffield zgjodhi futbollin, edhe pse ai shkëlqente edhe në sporte të tjera.

Mësuesi i tij i edukatës fizike, Martin McKee, thotë se ai ishte i destinuar që të bëhet futbollist. “Ai mund ta dominojë ndeshjen që në qendër të mesfushës”, thotë McKee. “Ai mund të driblonte të gjithë nëse dëshironte”, shton ai.

Maguire mund të ketë lënë shkollën para 10 vjetësh, por në një formë ai është ende pjesë e saj. Ai rregullisht kthehet, flet me nxënësit për përvojat e tij dhe së fundmi kishte prezantuar ish-mësuesin e tij me një fanellë të nënshkruar. Në të njëjtën shkollë e ka përfunduar mësimin edhe vëllai i tij 21-vjeçar, Laurence. Motra e tyre Daisy, 18-vjeçare, është nxënëse aty gjithashtu.

Për të treguar se sporti ka domethënie të madhe për familjen Maguire edhe djali i tyre i madh Joe, i cili është 26-vjeçar, luan në Buxton FC. Por, ështe Harry ai që po merr të gjitha lëvdatat pas punës së madhe për të ardhur këtu ku është sot. Si një djalë i ri ai shikonte futbollistë si John Terry dhe Rio Ferdinand, duke ditur se duhej të punonte shumë për t’u marrë seriozisht në futbollin serioz. Ai e përmbushi ëndrrën e tij fëmijërore duke luajtur për Sheffield United, duke kaluar nëpër ekipet zinxhirë. Në edicionin e tij të parë të plotë ai e ndihmoi ekipin që të arrinte në fazën e “Play-Off”-it për të kërkuar ngjitjen në kategorinë e tretë angleze. Një humbje me penalti në finale ndaj Huddersfieldit në 2012-n ia shoi ëndrrën për të vazhduar më lart. Por, kontributi i tij ishte i vlerësuar dhe ai fitoi dy çmime, atë të “Lojtarit të Vitit” dhe atë të “Lojtarit të Ri të Vitit”. Për dy vjetët në vazhdim ai ishte zgjedhur “Lojtari i Vitit” përsëri, derisa vazhdonte të përmirësohej.

Në vitin 2014 Steve Bruce vendosi që të shpenzojë 2.5 milionë funte për talentin premtues. Aty Maguire vazhdoi trendin e shkëlqyeshëm, ku u prezantua me sfida më të forta. Në 2016-n ai bëri debutimin e tij në Premierligë me Hull Cityn, duke u bërë i rregullt në formacionin e Marco Silvas. Ishte një edicion i trazuar për Hull Cityn, që në fund ra nga liga, por në aspektin personal për Maguiren ishte një tjetër sezon i suksesshëm. Leicester City siguroi shërbimet e futbollistit në 2017-n për 12 milionë funte, që mund të shkonte deri në 17 milionë me bonuset. “Dhelprat” mund të përfitojnë trefishin e kësaj shume nëse duan ta shesin në ditën e sotme. Maguire menjëherë u bë hero në fushë te Leicesteri. Shpirti dhe dëshira e tij bënë që ai të zgjidhjet “Lojtari i Edicionit” dhe gjithashtu u zgjodh “Lojtari i Vitit” nga tifozët. Maguire luajti çdo minutë në edicionin 2017/2018 dhe ishte i adhuruar nga tifozët. Ai ishte një zemërluan i vërtetë, ashtu siç ka qenë edhe me Anglinë deri më tani./Zëri

Të rekomanduara