Evropa, dominuese në futbollin botëror

Botërori 2018 July 09, 2018 - 13:37
Detajet

Katër ekipet e fundit që kanë mbetur në garë për Kupën e Botës janë evropiane, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Kontinenti më i fuqishëm në botën e futbollit ka siguruar që edhe këtë vit të ketë një fitues në Botëror, gjë e cila do të ndodhë për herë të katërt radhazi. Dominimi i kontinentit të vjetër me klubet e futbollit, i ushqyer edhe nga pasuria e madhe për të nënshkruar me talentet më të mirë të globit, po vazhdon edhe me Kupën e Botës.

Shpresat e fundit të Amerikës Jugore u shuan të premten kur në dy ndeshjet e para çerekfinale Brazili dhe Uruguai u mposhtën nga Belgjika, përkatësisht nga Franca. Gjysmëfinalja evropiane u kompletua të shtunën kur nga dy duelet evropiane Anglia mposhti Suedinë 2:0 dhe Kroacia triumfoi me penalti ndaj vendit nikoqir Rusisë. I pyetur për fuqinë evropiane pas humbjes nga Franca, përzgjedhësi i Uruguait Oscar Tabarez tha se realiteti nga aspekti financiar dhe nga aspekti historik nuk duhet të injorohet.

“Mos të më pyesin mua, është e vetëkuptueshme”, deklaroi trajneri veteran, i cili e kishte udhëhequr Uruguain drejt gjysmëfinales në vitin 2010. Atëkohë uruguaianët ishin eliminuar nga Holanda, që u mposht në finale nga Spanja. Ecuria fituese e vendeve evropiane filloi me Italinë në 2006-n, për të vazhduar më pas me Spanjën në 2010-n dhe me Gjermaninë, e cila triumfoi në vitin 2014.

Një titull për Francën ose Anglinë në Moskë më 15 korrik do ta mbante triumfin brenda vendeve, ligat e të cilave njihen si pesë më të mirat në Evropë. Ato liga mbajnë në vete klubet më të pasura dhe tërheqin marrëveshjet më të vlefshme televizive anembanë botës dhe shumica e atyre klubeve luajnë në Ligën e Kampionëve.

Këto pesë liga do të kenë 19 prej 32 ekipeve pjesëmarrëse në garën më prestigjioze evropiane për klube në edicionin e ardhshëm. Liga e Anglisë, e Spanjës, e Italisë, e Gjermanisë dhe ajo e Francës gjithashtu tërheqin lojtarët më të mirë të kontinenteve të tjera dhe Neymar ishte një arritje e vonshme nga Brazili në Barcelonë kur ishte 21-vjeçar. Në këto pesë shtete federatat e futbollit dhe klubet shpenzojnë para duke investuar në programet për të rinj, duke prodhuar talente.

Qendrat kombëtare si “Clairefontaine” në Francë dhe së fundmi “St George’s Park” në Angli kanë identitetin e tyre të fortë.

Që prej Kupës së Botës së vitit 1982 në gjysmëfinale të këtij kompeticioni deri më tani janë përfshirë 40 ekipe dhe Evropa ka pasur 31 përfaqësuese. Amerika Jugore ka pasur 8 ekipe dhe tjetra është Koreja e Jugut, që ishte nikoqire në vitin 2002. Afrika kurrë nuk ka pasur një përfaqësuese në gjysmëfinale dhe këtë vit asnjë ekip i tyre nuk ka arritur të kalojë fazën e grupeve. Japonia ishte ekipi i vetëm aziatik që arriti të tetën e finales, ku u mposht nga Belgjika./Zëri

Të rekomanduara