Legjendat përshëndeten nga Botërori

Botërori 2018 July 02, 2018 - 10:58
Detajet

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi e përfunduan aventurën e tyre në Kupën e Botës. Dy yjet më të mëdhenj të futbollit gjatë viteve të fundit u eliminuan në të njëjtën ditë nga “Rusia 2018”. Por pavarësisht largimit të hershëm që të dy treguan përsëri shkëndijat e tyre brilante. Duke marrë parasysh se ata tashmë janë në të 30-at, kjo ndoshta mund të ketë qenë paraqitja e tyre e fundit në kompeticionin më të madh të futbollit, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Dy yjet më të mëdhenj të Kupës së Botës u eliminuan nga ky kompeticion në një hapësirë prej vetëm katër orësh. Së pari ishte Lionel Messi që u eliminua me Argjentinën, pas atij spektakli të golave me Francën. Ndërsa më pas Uruguai e eliminoi Portugalinë e Cristiano Ronaldos.

Pritjet për paraqitjet e tyre në Kupën e Botës ishin të mëdha: me Ronaldon që hyri në këtë garë pas një tjetër triumfi në Ligën e Kampionëve dhe me Messin që shkëlqeu për Barcelonën në fitimin e La Ligës. Por edhe pse që të dy kishin arritur të jenë pjesë në fundjavën e fundit të Botërorit në të kaluarën – Ronaldo kishte përfunduar në vendin e katërt në 2006-n, kurse Messi në vendin e dytë në 2014-n, kësaj here faza e së tetës ishte fundi i rrugëtimit për ta.

Duke parë që të dy futbollistët tashmë kanë hyrë në të 30-at, ky mund të ketë qenë shansi i tyre i fundit për të korrur sukses në Kupën e botës, sidomos pasi që ishin në kulmin e formës së tyre. Tifozët tani janë të etur që të shohin se kush do të jetë pasuesi i Messit në çmimin e “Topit të Artë” të Botërorit, pasi që argjentinasi e kishte fituar këtë çmim para katër vjetësh.

“Ne kemi lojtarin më të mirë në botë dhe kemi provuar të krijojmë një situatë e cila do të na ndihmojë ta përdorim këtë lojtar, që mund të ketë momente të shumta brilante. Ne provuam shumë taktika të ndryshme që t’ia lejojmë atij të bëjë atë që mund të bëjë. Disa herë ia arritëm, disa herë jo”, u shpreh përzgjedhësi i Argjentinës, Jorge Sampaoli, për Messin.

Në anën tjetër, trajneri i Portugalisë mendon se Ronaldo ka ende shumë për t’i ofruar përfaqësueses. “Cristiano ende ka shumë për t’i dhënë futbollit dhe shpresoj që ai të qëndrojë dhe t’i ndihmojë lojtarët e rinj të rriten dhe të zhvillohen. Ne kemi një skuadër me shumë lojtarë të rinj dhe ne sigurisht që duam që ai të jetë këtu me ne”, u shpreh Santos.  

Lionel Messi e mbyll aventurën e tij në Rusi me vetëm një gol të shënuar, ndërsa kishte regjistruar edhe 2 asistime, në përgjithësi ka shënuar 6 gola në katër paraqitjet e tij nëpër Botërorë.

Ronaldo pa dyshim që përjetoi një formë mjaft të mirë në “Rusia 2018”, duke shënuar plot 4 gola në po aq takime, kurse nga katër paraqitjet e tij në Botëror ka shënuar gjithsej 7 herë./Zëri

Të rekomanduara