Babai i Xhakës reagon pas gjithë asaj që ndodhi në ndeshjen Serbi - Zvicër

Botërori 2018 July 02, 2018 - 10:49
Flet Ragip Xhaka

Ragip Xhaka, babai i futbollistit shqiptar të Zvicrës, Granit Xhakës, ka thënë se nuk i kupton reagimet, siç i ka quajtur, të çuditshme kundër festimit që i biri i tij Graniti dhe Xherdan Shaqiri bënë duke e bërë me duar simbolin e shqiponjës në fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë në Kupën e Botës, duke shtuar se megjithatë për të nuk ka qenë aspak i çuditshëm solidarizimi i shqiptarëve që mblodhën të holla për t’i paguar gjobat e tyre.

Xhaka dhe Shaqiri u gjobiten nga organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, me nga 10 mijë dollarë secili për shkak se festuan duke e bërë shqiponjën dy golat që ia sollën fitoren e rëndësishme Zvicrës 2-1 ndaj Serbisë në fazën grupore të Kupës së Botës javë më parë.  

Por, Ragip Xhaka thotë se shqiponja është si një tatuazh gëzimi për shqiptarët dhe se nuk do shpjegim. Ai thotë të jetë çuditur sesi serbët janë ndier të ofenduar dhe e kanë trajtuar si gjest politik një festim të tillë.

“Shenja e shqiponjës është si një tatuazh i gëzimit te shqiptarëve në festa, në dasma, në koncerte, në ndeshje futbolli dhe nuk ka brenda asnjë urrejtje apo madje asnjë lidhje me të tjerët, po është thjesht një shenjë dalluese që shqiptarët e njohin menjëherë e nuk kane nevojë për shpjegime! Prandaj edhe jemi shumë të çuditur me reagimin e atyre që e përjetuan shenjën tonë si ofensive [ofendim] për ta apo atyre që e trajtuan si gjest politik”, ka thënë Ragip Xhaka për Express.

Por, atë nuk e çudit fakti se shumë shqiptarë janë solidarizuar me iniciativat për të grumbulluar para për t’i paguar gjobat e dy futbollistëve të Zvicrës me rrënjë shqiptare.

“Por nuk jemi aspak te çuditur me solidaritetin e shumë shqiptarëve që janë ndier keq nga keqinterpretimet e shenjës dhe kanë marre pjesë në iniciativën e Edi Rimës për te kontribuar simbolikisht për gjobën e padrejtë që na u vu. I falënderojmë shume jo për shumen, po për faktin qe na kthyen 20 mije fish gëzimin qe u dhamë me shenjen e shqiponjës pas golave”, shtoi ai

Kosovari nga Nju Jorku, Rilind Reka, ishte i pari që mori iniciativë për të mbledhur fonde për ta paguar gjobën e shqiptuar nga FIFA ndaj yjeve shqiptare të Zvicrës, Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit, si dhe kapitenit të tyre, Stephan Lichtsteiner, i cili iu bashkua dyshen për të festuar duke e bërë shqiponjën në ndeshje kundër Serbisë në Kupën e Botës.

Brenda pak kohe, kjo iniciativë mblodhi më shumë para se që nevojitesh për ta paguar gjobën e tyre.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e kishte hapur një iniciative të tillë. /Gazeta Express/

 

Të rekomanduara