Erdogan: S’do largohem nga Turqia, përgjegjësit do ta paguajnë shtrenjtë

Bota korrik 16, 2016 - 03:53
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdgoan, u rikthye në Stamboll në orët e para të së shtunës. Ai u prit nga qindra njerëz në Aeroportin “Ataturk”, ndërsa pak minuta më vonë bëri një deklaratë kur premtoi se të gjithë ata që e kishin organizuar grushtin e shtetit do ta paguanin shtrenjtë.

Në kohën kur po mbante fjalimin e tij, Erdogan tha se disa ushtarakë po arrestohen, por nuk mohoi mundësinë që të ketë arrestime edhe për krerë e Ushtrisë. Ai deklaroi se disa prej kokave të Ushtrisë po merrnin urdhëra nga Pensilvania, duke iu referuar kështu armikut të tij, Fethullah Gulen.

“Një grup njerëzish organizuan grushtin e shtetit. Ju siguroj se personat përgjegjës do të marrin përgjigjen. Ky ishte një atentant ndaj atdheut nga strukturat paralele. Disa po arrestohen, por priten edhe të tjerë. Ata që e organizuan do ta paguajnë shtrenjtë”, deklaroi ai.

Erdogan njoftoi se hoteli ku po qëndronte për pushime ishte hedhur në erë vetëm pak minuta pasi ai ishte larguar nga aty, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm ishte rrëmbyer nga organizatorët e grushtit të shtetit.

Po ashtu, Erdogan paralajmëroi një “revolucion” në radhët e ushtrisë duke njoftuar ndryshime. I pyetur nëse e dinte ku ishte shefi i Ushtrisë, Erdogani u përgjigj negativisht. Ai tha se do të qëndronte në Turqi, me njerëzit e tij, duke mohuar lajmet se po kërkonte të largohej jashtë vendit.