Zgjedhjet në Izrael, Netanyahu humb shumicën parlamentare
Zgjedhjet parlamentare në Izrael nuk kanë nxjerrë fitues të qartë, ndërsa as kryeministri Benjamin Netanyahu dhe as rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, nuk janë pranë sigurimit të 61 ulëseve të nevojshme për shumicën në parlamentin me 120 vende.
Sipas projeksioneve të fundit të mediave Channel 12 dhe Ynet, blloku i Netanyahut pritet të fitojë 55 ulëse, duke shënuar rënie nga 68 ulëset që kishte koalicioni i tij në parlamentin e kaluar. Megjithatë, partia e tij Likud pritet të mbetet partia më e madhe e vetme, raporton CNN.
Ndërkohë, partitë opozitare kundër Netanyahut pritet të sigurojnë gjithsej 65 ulëse, por janë të ndara mes krahut të djathtë, të majtë dhe qendrës, si dhe mes partive hebraike dhe arabe.
Partia Yashar e Eisenkotit pritet të fitojë 21 ulëse, duke u bërë forca më e madhe opozitare. Megjithatë, formimi i një qeverie nga opozita mund të varet nga bashkëpunimi me partitë arabe, të cilat pritet të fitojnë 16 ulëse, një skenar që nuk mbështetet nga të gjithë liderët opozitarë.
Numërimi i votave pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa rezultati përfundimtar do të përcaktojë mundësitë për formimin e qeverisë së re. /rtk