Qëlloi për vdekje 13 ushtarë në vitin 2009, ish-majori do të ekzekutohet me pushkatim në SHBA

Qëlloi për vdekje 13 ushtarë në vitin 2009, ish-majori do të ekzekutohet me pushkatim në SHBA

Bota October 06, 2026 - 10:52

Për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore dhe pas më shumë se 60 vitesh nga ekzekutimi i fundit ushtarak në Shtetet e Bashkuara, një i dënuar me vdekje pritet të ekzekutohet me pushkatim. Bëhet fjalë për ish-majorin e Ushtrisë Amerikane, Nidal Malik Hasan, autorin e sulmit të vitit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas.

Hasan, ish-mjek psikiatër i ushtrisë amerikane, hapi zjarr më 5 nëntor 2009 në një qendër mjekësore të bazës. Nga sulmi mbetën të vrarë 13 ushtarë, ndërsa 32 të tjerë u plagosën.

Në vitin 2013, një gjykatë ushtarake e shpalli fajtor për 13 akuza për vrasje të paramenduar dhe 32 akuza për tentativë vrasjeje. Paneli prej 13 oficerësh votoi unanimisht për dënimin me vdekje.

Hasan e pranoi autorësinë e sulmit dhe gjatë procesit deklaroi se kishte vepruar në mbështetje të myslimanëve dhe talebanëve në Afganistan.

Vendimi për ekzekutimin është miratuar nga Presidenti Donald Trump, ndërsa autoritetet ushtarake amerikane duhet të përcaktojnë tashmë datën dhe vendin ku do të zbatohet dënimi.

Ushtria amerikane nuk ka kryer një ekzekutim që prej vitit 1961. Ndërsa ekzekutimi i fundit ushtarak me pushkatim në Shtetet e Bashkuara daton në vitin 1945, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nëse ekzekutimi i Hasan kryhet sipas kësaj metode, rasti do të shënojë rikthimin e pushkatimit në ekzekutimet ushtarake amerikane pas më shumë se tetë dekadash. /abcnews