Reshje intensive në Tajlandë dhe Indi, mbi 100 të vdekur dhe miliona të prekur nga përmbytjet

Reshje intensive në Tajlandë dhe Indi, mbi 100 të vdekur dhe miliona të prekur nga përmbytjet

Bota September 29, 2026 - 10:13

Më shumë se 100 persona kanë humbur jetën si pasojë e shirave të dendur dhe përmbytjeve që kanë goditur pjesë të Tajlandës dhe Indisë, duke prekur miliona njerëz, njoftuan sot autoritetet lokale dhe mediat.

Në Tajlandë, përmbytjet kanë shkaktuar 23 viktima dhe kanë prekur më shumë se 2.6 milionë në 29 provinca dhe kryeqytetin Bangkok, raportoi “The Nation”, duke cituar Departamentin e Parandalimit dhe Zbutjes së Fatkeqësive.

Raporti i fundit i departamentit, i lëshuar në orën 6 të mëngjesit të sotëm tha se përmbytjet mbetën në 167 rrethe, 890 nën-rrethe dhe 5.077 fshatra, duke prekur 940.300 familje. Niveli i ujit po rritet në 14 provinca.

Bangkoku ka qenë ndër zonat më të goditura pas ditëve të reshjeve intensive që përmbytën rrugët dhe lagjet e banuara. Autoritetet lokale vazhduan pompimin e ujit nga zonat e prekura ndërsa reshjet u zbutën.

Ndërkohë, të paktën 81 persona humbën jetën dhe 62 të tjerë u plagosën në shtetin verior të Indisë, Uttar Pradesh, midis 25 dhe 27 shtatorit, raportoi “The Times of India”, duke cituar Zyrën e Komisionerit të Ndihmës shtetërore.

Të paktën 2.254 shtëpi u dëmtuan dhe 154 kafshë kanë ngordhur ndërsa autoritetet vazhduan të vlerësojnë humbjet e të korrave. Shteti shënoi mesatarisht 66.5 milimetra reshje gjatë një periudhe 48-orëshe, krahasuar me 7.6 milimetra normale ose 775 për qind mbi normalen.

Të paktën 56 nga 75 distriktet e Uttar Pradesh-it regjistruan reshje të tepërta të shiut. Ndërkohë, një person u deklarua i vdekur në Mianmar, pasi shumë njerëz janë të zhdukur mes përmbytjeve në rajonin jugor Tanintharyi, raportoi gazeta tajlandeze “Myanmar Now”. /abcnews