Kompania që prodhoi vaksinat kundër COVID-19 mbyll tri fabrikat e saj në Gjermani
Kompania BioNTech, prodhuese e vaksinave kundër COVID-19 mbyll tri fabrikat e saj në Gjermani. Nga mbylljet e tyre preken rreth 1.800 punonjës.
Kërkimi disamujor për blerës dështoi: tri qendrat gjermane të kompanisë BioNTech, prodhueses së vaksinave kundër COVID-19 të bazuara në teknologjinë mRNA do të mbyllen.
Para disa vitesh BioNTech së bashku me partnerin e saj amerikan Pfizer, ishte kompania e parë që mori autorizimin për hedhjen në treg vaksinës kundër COVID-19 dhe fitoi miliarda euro prej vaksinave.
Kompania, e cila tani është fokusuar tani në prodhimin e mjekimeve për kancerin, thotë se prej disa vitesh kërkesa për vaksinën kundër COVID-19 është në rënie dhe se ajo nuk ka arritur ende të marrë miratimin për hedhjen në treg të ndonjë produkti tjetër.
Sipas BioNTech-ut, kërkimet për mjekime për kancerin kushtojnë shumë, prandaj gjashtëmujori i parë të këtij viti u mbyll me një humbje prej 1,35 miliardë eurosh.
Sipas kompanisë shitja e komplekseve të prodhimit në Idar-Oberstein, Marburg dhe Tybingen nuk arriti të realizohej kryesisht për shkak të kushteve aktualisht të vështira të tregut dhe klimës së investimeve. Nga mbylljet e fabrikave preken rreth 1.800 punonjës.
Në Marburgu prodhohen vaksina kundër COVID-19 të bazuara në teknologjinë mRNA, si dhe ADN plazmidike, një material i rëndësishëm bazë për prodhimin e vaksinave mRNA dhe terapive qelizore. Fabrika ndodhet në kompleksin historik të koncernit farmaceutik Behring në Marburg.
BioNTech-u e bleu atë nga kompania farmaceutike zvicerane Novartis dhe investoi aty miliona euro.
Radhë padish
Pas njoftimit për mbylljen e komplekseve të prodhimit themeluesi i firmës farmaceutike CureVac, e cila dikur ishte rivali i BioNTech në garën për zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19, e akuzoi BioNTech-un për mashtrim.
Në verën e vitit 2025 BioNTech-u njoftoi blerjen e CureVac.
Por marrëveshje me vlerë miliarda euro u finalizua vetëm pas disa muajsh negociatash.
Tani themeluesi i CureVac, Ingmar Hoerr, e akuzoi BioNTech-un se kishte devijuar nga premtimet e bëra gjatë procesit të blerjes.
Sipas tij marrëveshja parashikonte krijimin e një kompanie të përbashkët, ku të dyja palët do të bashkonin ekspertizën dhe do të përfitonin reciprokisht nga njëra-tjetra.
Me vendimin për mbylljen e uzinave ky vizion është braktisur plotësisht, tha themeluesi i firmës farmaceutike CureVac.
Para disa muajsh edhe kompania farmaceutike Bayer ngriti padi kundër prodhuesve të vaksinave të COVID-19 Pfizer, BioNTech.
Sipas akuzës me vaksinat e tyre me teknologji mRNA ata kanë kopjuar patentat e Bayerit.
Këto padi janë pjesë e një sërë mosmarrëveshjesh ligjore mbi patentat që lidhen me vaksinat për virusin e koronës.
Edhe kompania Moderna ngriti në vitin 2022 padi kundër Pfizer-it.
Largohen dy figura kyçe
Figurat kyçe të kompanisë, çifti Ugur Shahin dhe Ozlem Tureci, deklaruan se do të largohen nga BioNTech-u.
Shahin dhe Tureci planifikojnë t’i përkushtohen zhvillimit të një brezi të ardhshëm barnash të bazuara në teknologjinë mRNA dhe do të hapin një kompani të re. Që nga java e kaluar është bërë e ditur se kompania e re do të quhet “Arife” dhe do ta ketë selinë në Mainz.
Megjithatë Shahin dhe Tureci do të mbeten aksionarë të BioNTech-ut. /DW