SHBA-ja dhe Irani zhvillojnë bisedime në OKB
I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha se pala amerikane ka zhvilluar bisedime me delegacionin iranian, përmes ndërmjetësve, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Bisedimet u konfirmuan edhe nga kryediplomati iranian, Abbas Araqchi.
“Sot, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ne u angazhuam në bisedime të gjata me delegacionin iranian, përmes ndërmjetësve, të cilët lëvizën mes dy palëve gjatë gjithë ditës. Ata me sukses përfunduan një rund diskutimesh që ne shpresojmë se do të rezultojnë konstruktive dhe premtuese. Ndërmjetësit po vazhdojnë punën e tyre”, shkroi Witkoff në X në orët e para të 23 shtatorit.
Paraprakisht, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se është takuar me të dërguarin amerikan, Witkoff, më 22 shtator në margjinat e Asamblesë së OKB-së, duke theksuar se Teherani ka paraqitur kushtet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, raportoi media shtetërore iraniane.
Transmetuesi shtetëror iranian, IRIB, duke cituar burime të paidentifikuara, tha se takimi u mbajt me kërkesë të Witkoffit dhe se Teherani u pajtua për takimin me qëllim që të shpaloste kushtet për rihapjen e rrugës ujore me rëndësi strategjike.
Sipas transmetuesit IRIB, këto kushte përfshijnë heqjen e menjëhershme të bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, zhbllokimin e aseteve të ngrira iraniane dhe përfundimin e luftimeve në ato që Teherani i quan frontet e “rezistencës” – referencë për konfliktet ku përfshihen grupet në rajon që janë të rreshtuara me Iranin.
Bisedimet vijnë në kohën kur Teherani dhe Uashingtoni po shqyrtojnë mundësinë e rikthimit te diplomacia, mes konfliktit të tyre që po zgjatëprej muajsh dhe tensioneve rreth Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyç për transportin global të naftës dhe gazit.
Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters më 22 shtator se Irani mund ta rihapte ngushticën për transportin detar drejt vendeve të Gjirit brenda shtatë ditësh, nëse Uashingtoni do ta lehtësonte presionin ushtarak dhe do ta hiqte bllokadën ndaj porteve iraniane.
Teherani më herët ia kishte përcjellë Uashingtonit propozimin e tij të fundit përmes ndërmjetësve, tha një zyrtar i lartë iranian për Reuters.
Bisedimet vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, në adresimin e tij në OKB më 22 shtator paralajmëroi se mund ta “asgjësoj Republikën Islamike” nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.
Trumpi, megjithatë, tha se beson që Uashingtoni dhe Teherani do të arrijnë një marrëveshje pas zgjedhjeve amerikane të mesmandatit që mbahen në nëntor. /Rel