Putin: Ukraina po ndërhyn në zgjedhjet parlamentare në Rusi

Putin: Ukraina po ndërhyn në zgjedhjet parlamentare në Rusi

Bota September 19, 2026 - 11:23

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar të premten Ukrainën se po pengon qëllimisht negociatat që synojnë përfundimin e luftës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Putin ka pretenduar gjithashtu se Kievi po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet parlamentare në Rusi, pa paraqitur prova për këtë pretendim.

Duke folur në Komisionin Ushtarak-Industrial të Rusisë, Putin ka përsëritur se një nga objektivat kryesore të mbrojtjes së Moskës mbetet mbështetja në të ashtuquajturën “treshe bërthamore”, ndërsa ka thënë se Rusia duhet të avancojë edhe në përmirësimin e sistemeve të saj të mbrojtjes kundër raketave, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.Putin e ka akuzuar gjithashtu udhëheqjen ukrainase se është shndërruar prej kohësh në një “diktaturë”, duke iu referuar faktit se në Ukrainë nuk janë mbajtur zgjedhje të reja presidenciale pas përfundimit të mandatit të Volodymyr Zelenskyt.

“Udhëheqja ukrainase nuk po nxiton të mbajë zgjedhje, siç e dini, por në të njëjtën kohë po përpiqet të ndërhyjë tek ne”, citohet të ketë thënë Putin.

Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë deklaruar se zgjedhjet nuk mund të mbahen përderisa në vend vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, e vendosur pas pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë, Kievi i ka cilësuar zgjedhjet ruse si “pseudo-zgjedhje”, duke argumentuar se rezultati i tyre është i paracaktuar.