Goditet një anije në Ngushticën e Hormuzit, rriten shqetësimet për energjinë
Një anije është goditur nga një predhë teksa po lundronte nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe furnizimin global me energji.
Agjencia britanike e sigurisë detare, UKMTO, njoftoi të dielën se kishte marrë një raport për incidentin. Ende nuk dihet shkalla e dëmeve në anije dhe as gjendja e ekuipazhit.
Raportimi për sulmin vjen një ditë pasi Arabia Saudite njoftoi mbylljen e përkohshme, si masë parandaluese, të një prej tubacioneve kryesore të naftës.
Vendimi u mor pas një sulmi me dron, për të cilin Bagdadi dhe Riadi thanë se kishte origjinën nga Iraku, ku veprojnë milici të mbështetura nga Irani, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Zgjerimi i sulmeve në Lindjen e Mesme po shton frikën për një rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë.
Gjatë javës së fundit, çmimi i naftës Brent u rrit përsëri mbi 100 dollarë për fuçi.
Tubacioni East-West, me gjatësi rreth 1,200 kilometra, përshkon Gadishullin Arabik dhe gjatë gjashtë muajve të fundit ka shërbyer si rruga kryesore për eksportin e naftës së Lindjes së Mesme drejt tregjeve globale, ndërsa Ngushtica e Hormuzit ka qenë kryesisht e bllokuar për shkak të luftës.