Dy persona i vunë flakën flamurit serb në Kroaci për ta shënuar përvjetorin e operacionit "Stuhia" [video]
Një incident është regjistruar një ditë para shënimit të përvjetorit të operacionit ushtarak dhe policor kroat "Stuhia" (Oluja).
Një lexues i portalit kroat Index.hr ka filmuar dy persona duke i vënë flakën flamurit serb në një mbikalim pranë qytetit të Otoçacit.
Sipas pamjeve të publikuara, dy persona të veshur me rroba të zeza dhe me fytyrat e mbuluara janë ngjitur mbi gardhin e mbikalimit, ku fillimisht kanë vendosur flamurin serb. Pak çaste më vonë, ata i kanë vënë zjarrin flamurit, ndërsa e gjithë ngjarja është regjistruar në video.
Në të njëjtin vend ishte vendosur edhe një pankartë me mbishkrimin "Faleminderit për gjithçka, jemi njerëz të lirë, Stuhia '95".
Mesazhi i referohet operacionit "Stuhia", i cili në Kroaci konsiderohet simbol i çlirimit të territorit, ndërsa në Serbi përkujtohet si një ngjarje tragjike për popullsinë serbe që u largua nga Kroacia gjatë dhe pas operacionit.
Portali Index.hr njofton se i është drejtuar policisë kroate me një kërkesë për informacion lidhur me incidentin dhe për të mësuar nëse janë identifikuar autorët ose nëse është hapur një hetim zyrtar. Përgjigjja e autoriteteve pritet të publikohet sapo të jetë në dispozicion.
Deri më tani nuk ka informacione për ndonjë të arrestuar, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt i hetimeve të policisë. /Telegrafi/