Rusia mohon se BRICS kërkon të transformohet në një aleancë ushtarake
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Ryabkov, ka hedhur poshtë pretendimet se blloku ekonomik BRICS synon të shndërrohet në një aleancë ushtarake.
Në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Ryabkov theksoi se BRICS nuk është aleancë ushtarake dhe as organizatë e sigurisë kolektive që parashikon detyrime për ndihmë të ndërsjellë në aspektin ushtarak. Sipas tij, grupi nuk është konceptuar kurrë në këtë frymë dhe nuk ekzistojnë plane për ta orientuar në një drejtim të tillë.
Ai shtoi se agjenda e BRICS-it, i cili aktualisht përbëhet nga 11 anëtarë, nuk përfshin ushtrime të përbashkëta ushtarake apo mekanizma për kontrollin e armëve.
Duke komentuar stërvitjen detare “Vullneti për Paqe 2026”, e zhvilluar më 9–16 janar në Afrikën e Jugut me pjesëmarrjen e Kinës, Iranit dhe Rusisë, Ryabkov mohoi se ajo ishte një aktivitet i organizuar nga BRICS. Sipas tij, vendet pjesëmarrëse morën pjesë në cilësinë e tyre kombëtare dhe jo si përfaqësuese të bllokut.