Nëntë të ndaluar me dyshimin për mashtrim 10 milionë eurosh me biletat e Luvrit
Autoritetet franceze ndaluan nëntë persona si pjesë e një hetimi për një skemë të dyshuar mashtrimi me bileta në Luvër, muzeun më të vizituar në botë, njoftoi prokuroria e Parisit, sipas AP.
Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për një skemë që dyshohet se ka funksionuar për rreth një dekadë dhe që i ka shkaktuar muzeut një dëm financiar mbi 10 milionë euro (rreth 11,8 milionë dollarë).
Arrestimet u kryen të martën, në kuadër të një hetimi gjyqësor të hapur pasi vetë muzeu paraqiti kallëzim penal në dhjetor 2024.
Mes të ndaluarve janë dy punonjës të Luvrit, disa guida turistike si dhe një person që dyshohet të jetë organizatori kryesor i skemës.
Muzeu kishte sinjalizuar hetuesit për praninë e shpeshtë të dy guidave kineze, të dyshuara se fusnin grupe turistësh kinezë duke ripërdorur në mënyrë të paligjshme të njëjtat bileta disa herë për vizitorë të ndryshëm.
Më pas, edhe guida të tjera u vunë nën dyshim për praktika të ngjashme.
Sipas prokurorisë, mbikëqyrja dhe përgjimet telefonike konfirmuan ripërdorimin e përsëritur të biletave, si dhe një strategji për ndarjen e grupeve turistike me qëllim shmangien e pagesës së detyrueshme për shpjegime që duhet të paguajnë guidat.
Hetimi zbuloi gjithashtu bashkëpunëtorë të dyshuar brenda muzeut, ku guidat dyshohet se u paguanin para në dorë për të shmangur kontrollet e biletave.
Një hetim formal gjyqësor u hap në qershor të vitit të kaluar për akuza që përfshijnë mashtrim të organizuar, pastrim parash, korrupsion, ndihmë për hyrje të paligjshme në vend në kuadër të një grupi të organizuar, si dhe përdorim dokumentesh administrative të falsifikuara.
Hetuesit besojnë se rrjeti mund të ketë futur deri në 20 grupe turistike në ditë gjatë dekadës së fundit.
Dyshohet se një pjesë e fitimeve është investuar në pasuri të paluajtshme në Francë dhe në Dubai.
Autoritetet kanë sekuestruar mbi 957 mijë euro para në dorë, përfshirë 67 mijë euro në valutë të huaj, si dhe 486 mijë euro në llogari bankare.
Prokuroria përmendi se një skemë e ngjashme mashtrimi me bileta dyshohet se ka ndodhur edhe në Palace of Versailles, pa dhënë detaje të mëtejshme./atsh