Forumi Ekonomik Botëror në Davos, Trumpi dominon takimin
Përfaqësues nga qindra sipërmarrje, si dhe mbi 60 kryetarë shtetesh dhe qeverish marrin pjesë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Kësaj here merr pjesë edhe presidenti i SHBA-së, Trump.
Pjesëmarrja e Donald Trumpit në Forumin e Davosit zgjoi interes të madh: Konfliktet globale, politika e SHBA-së, si dhe një delegacion i kryesuar nga presidenti Trump rekord do të jenë në qendër të Forumit Ekonomik Botëror.
Takimi zhvillohet në një kohë kur presidenti i SHBA-së Donald Trump, po përpiqet të çmontojë rendin ndërkombëtar: nga pezullimi i rregullave të përcaktuara tregtare dhe tërheqja nga organizata të shumta ndërkombëtare, duke përfshirë Marrëveshjen e OKB-së për Klimën, deri tek arrestimi i presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro dhe kërcënimi për të aneksuar Grenlandën. Fjalimi i Donald Trumpoit të mërkurën në Davos pritet me interes sidomos në sfondin e kërcënimeve të presidentit amerikan, për të marrë ishullin e Grenlandës, që i përket vendit partner në NATO, Danimarkës.
Sulmi i Trumpit ndaj rregullave ndërkombëtare, që janë në fuqi që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ndikimi i tij në paqen botërore, politikën dhe ekonominë do të jenë ndër temat qendrore të forumit pesëditor, që u hap më 19 janar nën moton "Në Frymën e Dialogut".
Përveç Donald Trumpit, në Davos do të vijnë më shumë se 60 krerë shtetesh dhe qeverish, duke përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili do të mbajë një fjalim të enjten në Davos. Edhe kryeministri kanadez Mark Carney dhe presidenti argjentinas Javier Milei janë në Davos, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, zëvendëskryeministri kinez He Lifeng, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe presidenti sirian Ahmed al-Sharaa priten gjithashtu në Zvicër.
Delegacion jashtëzakonisht i madh nga SHBA-ja
Trumpi kryeson delegacionin më të madh amerikan në historinë e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, i përbërë nga pesë anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Delegacioni përfshin sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner. Kjo përgatit terrenin për bisedime të nivelit të lartë mbi Ukrainën, Venezuelën dhe Rripin e Gazës. Irani, ku dëshmitarët okularë raportojnë një shtypje brutale të protestave antiqeveritare, ka të ngjarë të jetë gjithashtu në agjendë.
Në kuadrin e këtij samiti, Trumpi pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatët e G7 të Kievit – duke përfshirë krerët e shteteve dhe qeverive të Gjermanisë, Italisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë, si dhe Presidenten e Komisionit Evropian - për të siguruar mbështetjen e SHBA-së për garancitë e sigurisë për Ukrainën pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.
Prania e fortë e SHBA-së përforcohet edhe nga fakti se këtë vit, për herë të parë, në Davos ka një "Shtëpi të SHBA-së" - një vend për evente në një kishë të vogël në shëtitoren kryesore, ku përfaqësuesit e SHBA-së do të zhvillojnë takime për të vendosur kontakte me investitorë.
Organizata, e cila ekziston që nga viti 1971, synon të promovojë dialogun, por vetë po përballet me vështirësi, pasi multilateralizmi dhe tregtia e lirë kanë humbur rëndësinë. /DW