Gjithçka që dihet deri tani për përplasjen mes trenave në Spanjë, ku vdiqën dhjetëra persona

Gjithçka që dihet deri tani për përplasjen mes trenave në Spanjë, ku vdiqën dhjetëra persona

Bota January 19, 2026 - 12:33

Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë në kujdes intensiv, pasi dy trena u përplasën në Spanjën jugore të dielën në mbrëmje, në atë që kryeministri, Pedro Sánchez, e quajti "një natë dhimbjeje të thellë për vendin".

Sipas raportimeve, një tren me shpejtësi të lartë i Iryo që udhëtonte nga Malaga në Madrid doli nga binarët pranë komunës Adamuz në provincën e Kordobas rreth orës 7.40 të mbrëmjes së së dielës, duke kaluar në shinën tjetër ku goditi një tren që po vinte përballë.

Treni i dytë, i cili operohej nga kompania shtetërore hekurudhore, Renfe, gjithashtu doli nga shinat dhe ra në një argjinaturë, thanë autoritetet.

Image

"Rreth 300 persona ishin në bord në kohën e aksidentit", ka thënë Iryo.

Guardia Civile dhe zjarrfikësit po punojnë intensivisht në vendngjarje për të evakuuar të gjithë pasagjerët dhe kanë ngritur një ekip të përbashkët reagimi ndaj emergjencave.

Të hënën në mëngjes, shërbimet e emergjencës në Andaluzi thanë se 122 persona ishin trajtuar për lëndimet e tyre dhe 48 persona ishin ende në spital, nga të cilët 12 ishin në njësitë e kujdesit intensiv, përcjell Telegrafi.

“Ka shumë të lënduar - ende po dridhem”, ka thënë për El Pais, Maria San Jose, 33 vjeçe, një pasagjere në trenin që doli i pari nga shinat.

Një dëshmitar tjetër i tha transmetuesit publik RTVE se një nga vagonët e trenit të parë ishte përmbysur plotësisht.

Një pasagjer i paidentifikuar në trenin e dytë - i cili po shkonte nga Madridi në Huelva - i tha transmetuesit publik TVE: “Kishte njerëz që bërtisnin, çantat e tyre ranë nga raftet. Po udhëtoja për në Huelva me vagonin e katërt – të fundit, për fat të mirë”.

Shefi i zjarrfikësve të Kordobas, Paco Carmona, i tha TVE se ndërsa Iryo ishte evakuuar brenda pak orësh nga aksidenti, vagonët e Renfe ishin dëmtuar rëndë, me metal dhe sedilje të shtrembëruara.

“Ka ende njerëz të bllokuar. Operacioni po përqendrohet në nxjerrjen e njerëzve nga zonat që janë shumë të ngushta”, tregoi ai. “Duhet të nxjerrim trupat për të arritur te kushdo që është ende gjallë. Po rezulton të jetë një detyrë e ndërlikuar”.

Ndërsa ministri i transportit i Spanjës, Óscar Puente, theksoi se shkaku i aksidentit ende nuk ishte përcaktuar.

Duke folur në një konferencë për shtyp në stacionin Atocha në Madrid, ai shtoi se ishte "shumë e çuditshme" që një dalje nga shinat të kishte ndodhur në një pjesë të drejtë të binarit. Ky seksion i binarit u rinovua në maj, tregoi ai.

Image

Puente bëri të ditur se shumica e të vrarëve dhe të plagosurve kishin qenë në dy vagonët e parë të trenit të dytë.

Ndërkohë, një gazetar nga transmetuesi publik RNE, i cili po udhëtonte në një nga trenat, tha se impakti ishte ndjerë si një tërmet.

Pasagjerët kishin përdorur çekiçë emergjence për të thyer xhamat e vagonëve dhe për të dalë jashtë, tha ai.

Raportet e mediave spanjolle sugjeruan se 400 persona kishin qenë në dy trenat.

Imazhet televizive lokale treguan një qendër pritjeje të ngritur për pasagjerët në Adamuz, një qytet me 5,000 banorë, me vendasit që sillnin ushqim dhe batanije ndërsa temperaturat e natës luhateshin në rreth 6 gradë Celsius.

Adif ka pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore midis Madridit dhe Andaluzisë.

Aksidenti hekurudhor më vdekjeprurës në Spanjë këtë shekull ndodhi në korrik 2013, kur një tren që udhëtonte me 179 km/orë doli nga shinat në një pjesë të binarëve me një shpejtësi maksimale prej 50 km/orë në rajonin veriperëndimor të Galicisë, duke vrarë 80 persona.