Trumpi njofton se Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord për armëpushim
Presidenti amerikan Donald Trump tha se foli me udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias dhe ata ranë dakord të riangazhohen për një armëpushim pas përleshjeve kufitare gjatë javës së kaluar që kërcënuan të shpërthenin në një konflikt më të madh.
Trump tha se të dyja palët ranë dakord të ndalonin luftimet dhe të ktheheshin te kushtet e një marrëveshjeje paqeje të nënshkruar në Malajzi në fund të tetorit.
“Pata një bisedë shumë të mirë këtë mëngjes me kryeministrin e Tajlandës, Anutin Charnvirakul, dhe kryeministrin e Kamboxhias, Hun Manet, në lidhje me rizgjimin shumë të pafat të luftës së tyre të gjatë”, tha Trump.
"Ata kanë rënë dakord të ndërprejnë të gjitha të shtënat që nga kjo mbrëmje dhe të kthehen te Marrëveshja origjinale e Paqes e arritur me mua dhe ata, me ndihmën e kryeministrit të madh të Malajzisë, Anwar Ibrahim", shtoi ai.
Luftime të reja shpërthyen midis Kamboxhias dhe Tajlandës në fillim të kësaj jave, me të dyja palët që akuzonin njëra-tjetrën se qëlloi e para.
Ushtria tajlandeze tha se sulmet e saj ajrore kundër objektivave në Kamboxhia erdhën në përgjigje të një sulmi kamboxhian që vrau të paktën një ushtar tajlandez dhe plagosi tetë të tjerë në një provincë kufitare.
Trump sugjeroi se një bombë në rrugë që vrau dhe plagosi ushtarë tajlandezë shkaktoi shpërthimin, por tha se "ishte një aksident".
“Por megjithatë, Tajlanda u kundërpërgjigj shumë fuqishëm”, tha ai.
Gjatë pak ditëve të luftimeve, më shumë se 20 persona u vranë dhe më shumë se gjysmë milioni u zhvendosën.
Trump tha se me ndërhyrjen e tij, “të dy vendet janë gati për paqe dhe për vazhdimin e tregtisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.