Gjysma e Kievit në terr pas sulmeve ruse, teksa Ukraina ndërmerr hapa për kursimin e rrymës
Ukraina do të vendosë kufizime të reja për përdorimin e rrymës dhe do të lejojë importe shtesë të energjisë, ndërkohë që po bën përpjekje për ta ndrequr infrastrukturën e dëmtuar nga sulmet ruse, tha të martën vonë kryeministrja Yulia Svyrydenko.
Forcat ruse kanë rritur ndjeshëm numrin dhe intensitetin e sulmeve ndaj infrastrukturës së gazit dhe energjisë në Ukrainë gjatë muajve të fundit, duke shënjestruar si termocentralet, ashtu edhe sistemet e bartjes së energjisë elektrike.
Në javët e fundit qytetarët në shumë rajone të Ukrainës po përballen me ndërprerje të vazhdueshme dhe të papritura të rrymës.Të martën, rreth gjysma e banorëve të kryeqytetit Kiev mbetën njëkohësisht në terr.
“Ndriçimi shtesë për ndërtesat, rrugët, parqet, dritat dekorative dhe reklamat e jashtme në qendrat e qyteteve nuk janë prioritet gjatë kësaj periudhe të vështirë për sektorin energjetik”, tha Svyrydenko në X, duke shpallur masa të reja për të përmirësuar gjendjen për konsumatorët civilë.
Lista e ndërtesave që kanë të drejtë të furnizohen me rrymë pa ndërprerje duhet të shkurtohet më shumë.
Përjashtim bëjnë spitalet, shkollat, ndërtesat jetike dhe ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes.
Ndërmarrjet shtetërore do të jenë në gjendje të nisin importet e energjisë, shtoi Svyrydenko.“Kjo do ta ulë trysninë mbi rrjetin elektrik të Ukrainës dhe do ta stabilizojë ngarkesën gjatë orëve të pikut”, shtoi ajo.
Gjysma e Kievit në terr
Të martën, operatori kombëtar i rrjetit elektrik vendosi ndërprerje emergjente të energjisë në shumicën e rajoneve të Ukrainës, duke anuluar oraret e publikuara një ditë më parë dhe duke i futur qytetet në errësirë.
“Gjendja në Kiev mbetet një nga më të vështirat, tani, deri në 50 për qind të konsumatorëve në kryeqytet janë pa rrymë”, njoftoi Ministria e Energjisë e Ukrainës në Telegram.
Ukraina i ka tri centrale bërthamore, të cilat prodhojnë më shumë se 50 për qind të të gjithë energjisë elektrike në vend, por këto centrale detyrohen ta ulin prodhimin për shkak të dëmtimit të linjave të transmisionit.
Ndërprerjet e energjisë prekin gjithashtu furnizimin me ngrohje dhe ujë.
Banorët e Kievit dhe rajonit të Kievit gjatë javës së fundit janë furnizuar me rrymë vetëm 10 orë në ditë./Radio Evropa e Lire